Super sfida e javës së 20-të në Serie A, Inter-Napoli u mbyll pa fitues, por në “San Siro” u zhvillua një ndeshje spektakolare, 4 gola të shënuar, raste të shumta për shënim, por në fund dy ekipet ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2, një “X” që pa diskutim i shkon për shtat ekipit të Contes, por diferenca mes dy ekipeve mbetet e njëjtë, me zikaltërit që mbajnë Napolin me 4 pikë larg.
Sfida nisi me gol, ku në minutën e 9-të, Dimarco me një goditje të saktë brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë. Napoli u përgjigj shpejt dhe minutën e 26-të pas një zbritje në sulm, McTominay në shtyllën e parë devijoi saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Në fraksionin e dytë, në minutën e 70-të, gjyqtari i takimit, pasi rishikoi një aksion të Inter në VAR akordoi penallti në favor të ekipit zikaltër, një episod që tërboi trajnerin Conte, me këtë të fundit që u ndëshkua me karton të kuq, por u largua nga fusha duke lëshuar akuza: “T’iu vijë turp, t’iu vijë turp”, me këto fjalë iu drejtua Conte arbitrave. Nga pika e bardhë, Calhanoglu u tregua i saktë duke kaluar Inter në avantazh. Napoli nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të, i përhershmi McTominay ndëshkoi sërish Inter duke bërë që në stadium të pllakoste heshtja. Në shtesë, Inter ishte i pafat ku një goditje e Mkhitaryan u përplas në shtyllën pingule.
Ekipi i Chivu-t dështoi edhe një herë kundër ekipeve të mëdha, por tekniku zikaltër nuk u shfaq i shqetësuar: “Më vjen keq që nuk fituam, por nuk është e thjeshtë kundër ekipeve të forta. Na mungoi qartësia në metrat e fundit, por të mos harrojmë edhe rivalët tanë janë të fortë. Do të jetë luftë deri në fund, deri në pikën e fundit, janë 4-5 skuadra në garë. As që e di se sa pikë kemi diferencë me rivalët”, u shpreh Conte pas ndeshjes.








