• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje

31/12/2025
Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje

Goditja e Rei Manajt që shkundi rrjetën në minutën e fundit të pjesës së parë në ndeshjen Serbi-Shqipëri është me gjasë momenti më sportiv i vitit, që do të mbahet mend gjatë mes ndjekësve të futbollit. Përveçse shënoi fitoren në atë që mund të konsiderohet si një prej përplasjeve më të nxehta sportive të Kombëtares, goli i Manajt i hapi rrugën Shqipërisë për të garuar për herë të parë në fazën e “play-off”-it për një vend në Kampionatin Botëror SHBA-Meksikë-Kanada në vitin 2026. “Goli më i rëndësishëm i jetës,” tha Manaj pas fitores, e cila nxori në festë me mijëra tifozë në rrugët e Tiranës, Prishtinës dhe dhjetra qyteteve të tjera.

Në “play-off” ndodhet edhe Kosova. Kjo e fundit e siguroi vendin pas dy fitoreve surprizë kundër Suedisë dhe fitores jashtë fushe kundër Sllovenisë, një tjetër ekipi ballkanas. Federata më e re në Europë, që iu njoh e drejta për të garuar si ekip kombëtar në garat e UEFA-s e FIFA-s vetëm në vitin 2016, ka ecur shpejt, duke qenë një nga surprizat e eliminatoreve. Ndryshe nga Shqipëria, suksesi i së cilës lidhet kryesisht me lojtarë të rritur jashtë vendit, Kosova ka rritur nivelin e kampionatit vendas me ekipe si Ballkani dhe Drita që kanë arritur kualifikime historike në garat europiane. Kjo e fundit, së bashku me Shkëndijën e Tetovës, janë ende në garë për titullin e Ligës së Konferencës së UEFA-s (Conference League), pasi kaluan fazën e grupeve dhe presin ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë.

Futbolli i femrave po ashtu arriti rezultate të mira në 2025. Kombëtarja shqiptare për herë të parë mbërriti në fazën “play-off” të kualifikueseve për Europianin dhe doli e para në grupin e saj në Nations League, duke u ngjitur në Ligën B. Kampionati vendas vijon të dominohet nga Vllaznia dhe Megi Doçi, që vijon të thyejë rekorde.

Fitoret në futboll, sporti me më shumë ndjekës, nuk janë të vetmet. Huazimi i atletëve nga Rusia, e përjashtuar prej garave ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës, e ka vendosur për herë të parë Shqipërinë në podium në mundje. Chermen Valiev u shpall fillimisht kampion Europe në Bratislavë dhe më pas arriti në finalen e Kampionatit Botëror të Mundjes, ku mori medaljen e argjendtë. Ai nuk ishte i vetëm: Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev po ashtu u ngjitën në podium. Abakarov siguroi medalje të bronztë në Kampionatin Europian të Mundjes dhe Dudaev dominoi turneun Grand Prix në Spanjë, duke e vendosur Shqipërinë si një fuqi të re botërore në mundje të lirë.

Skiatorja 19-vjeçare e lindur në Itali, por që garon për Shqipërinë, Lara Colturi, bëri historinë gjatë vitit 2025. Foto: Facebook.

Skiatorja 19-vjeçare e lindur në Itali, por që garon për Shqipërinë, Lara Colturi, bëri historinë gjatë vitit 2025. Vajza e artë e skive dominoi Kampionatin Botëror për të Rinj (Junior World Ski Championships) të mbajtur në Itali në shkurt 2025, ndërsa konfirmoi klasin e saj edhe në Kupën e Botës, duke u renditur rregullisht në mes të më të mirave, një arritje e paimagjinueshme më parë për flamurin kuqezi në sportet dimërore. Këtë sezon, Colturi është ngjitur tre herë në podium, duke marrë një vend të dytë historik në Finlandë përkrah numrit 1 në botë, Mikaela Shiffrin. Në kampionatin botëror, i cili vazhdon, Colturi renditet e 6-ta dhe është më e reja mes skiatoreve që renditen në 10 vendet e para.

Skitë sollën fitore historike edhe për ekipin e Lojërave Olimpike Speciale. Skiatorët nga Shqipëria, Elizon Kacanja dhe Stela Salla, fituan 2 medalje të arta në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore “Torino 2025”, duke shkruar historinë për Shqipërinë në debutimin e saj në këto lojëra dimërore. Ekipi në total siguroi 8 medalje, me Vanesa Doçin medalje ari në “Snowshoeing” dhe Joanis Myrtollari e Joel Gërmënjin me medalje bronzi.

Peshëngritja, një prej sporteve ku Shqipëria ka pasur gjithmonë fitues, pati sërish një vit të suksesshëm. Veç medaljeve të pritshme prej Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, dy peshëngritës të rinj janë ngjitur në skenë. Enkilejda Carja, nga Durrësi, vendosi rekorde të reja, duke fituar medalje në disa gara ndërkombëtare për të rinj. Carja, veçanërisht, shkëlqeu me tre medalje të arta në Europianin e të Rinjve në Greqi, ndërsa në Botërorin e mbajtur në Lima mori një medalje të artë dhe një të argjendtë. Ertjan Kofsha, i cili garon për moshat nën 23 vjeç, u ngjit po ashtu në podium me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë në Kampionatin Europian.

Mbretëreshat e xhudos, atletet e trajnerit Toni Kuka në Kosovë, vazhdojnë të mbledhin “ar”. Distria Krasniqi ishte makineri fitoresh gjatë gjithë vitit 2025, duke koleksionuar medalje nga Parisi në Zagreb, e paprekshme në kategorinë e saj. Por skena po i lë vend edhe Laura Fazliut, e cila me argjendin në Lojërat Botërore Universitare tregoi se është gati për sfidat olimpike. Akil dhe Nora Gjakova po ashtu sollën medalje nga kampionate prestigjioze.

Në ringun e boksit, Donjeta Sadiku konfirmoi se është boksierja më e mirë në rajon, duke fituar të artën në turneun e fortë “Feliks Stamm” në Poloni, një fitore që erdhi pas përballjeve me kampionet e botës.

Në atletikë, Luiza Gega, kampione e Europës në 3 mijë metra në gusht 2022, solli medalje të reja në vitin 2025, kur fitoi vendin e parë në garën e 5 mijë metrave në Kampionatin Europian të Kategorisë së Tretë të zhvilluar në Sofje. Në krah të saj, Franko Burraj dhe David Nikolli treguan se atletika shqiptare po rritet, me medalje të arta në garat ekipore dhe individuale në Europë.

Sportet e lojërave me dorë, volejbolli dhe basketbolli, mbeten larg arritjeve të rëndësishme; megjithatë, kampionatet lokale kanë tërhequr më shumë interes dhe ka një rivalitet të rritur. Liga Unike në basketboll, një kampionat i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, vijon të dominohet nga ekipet e Kosovës. Ndërkohë, në ligën Gjergj Kastrioti në volejboll, një kampionat po ashtu i përbashkët mes dy vendeve, garat janë fituar kryesisht nga ekipet e Shqipërisë për të dy gjinitë.

Volejbolli i vajzave, për shkak të historisë, mbetet një nga garat me më shumë rivalitet dhe ndjekës, por në 2025 gara u “ndot” për shkak të sulmeve diskriminuese ndaj volejbollistes braziliane Nayara Ferreira. Kjo e fundit u pezullua nga gara pas kërkesave paragjykuese për test të gjinisë. Pavarësisht protestave të ekipit të Dinamos, për të cilin ajo luante, Ferreira nuk u kthye në fushë dhe është larguar nga Shqipëria.

2025 qe një vit i mirë edhe për organizimin. Në vend u zhvilluan për herë të parë disa etapa të garës çiklistike Giro d’Italia. Ndërkohë veç kampionateve të ndryshme të sporteve individuale të sallave, si peshëngritja, mundja e të ngjashme, të cilët kanë një traditë organizimi në Shqipëri, në vend u zhvillua për herë të parë Kampionati Europian i Futbollit U17, i cili u fitua nga Portugalia.

Mes këtyre sukseseve në fushë, pistë dhe podiume, viti 2025 shënoi edhe një humbje të madhe për kujtesën sportive kombëtare, ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, zërit legjendar që për dekada me radhë ishte ura lidhëse mes stadiumit dhe shtëpive të shqiptarëve. Bellova, i cili u shua në moshën 91-vjeçare, mbylli një epokë të artë të gazetarisë sportive. Ai la pas një trashëgimi që shërben si frymëzim për brezat e rinj të atletëve dhe komentatorëve./reporter.al

Related Posts

Dhuroi një asist me kokë, notë pozitive për Brojën, “bomberi” kuqezi fiton Burnley (VIDEO)
Sport

Dhuroi një asist me kokë, notë pozitive për Brojën, “bomberi” kuqezi fiton Burnley (VIDEO)

31/12/2025
Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje
Sport

Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje

31/12/2025
VIDEO/ Chelsea zhgënjen në Premier League, asist i Brojës por Burnley humbet
Sport

VIDEO/ Chelsea zhgënjen në Premier League, asist i Brojës por Burnley humbet

30/12/2025
VIDEO/ Broja në rolin e “kamarierit”, dhuron asist në Premier League
Sport

VIDEO/ Broja në rolin e “kamarierit”, dhuron asist në Premier League

30/12/2025
Vllaznia, Balaj: Japim maksimumin në Conference League, skuadra e motivuar
Sport

Lista me Balajn në krye, kapiteni i Vllaznisë si golashënues dhe “game winner”

30/12/2025
Jo vetëm Botërori, Kombëtarja kuqezi pret edhe 2 yje
Sport

Jo vetëm Botërori, Kombëtarja kuqezi pret edhe 2 yje

30/12/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Dhuroi një asist me kokë, notë pozitive për Brojën, “bomberi” kuqezi fiton Burnley (VIDEO)

Dhuroi një asist me kokë, notë pozitive për Brojën, “bomberi” kuqezi fiton Burnley (VIDEO)

31/12/2025
Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje

Sporti në 2025, BIRN: Nga goli i Rei Manajt te podiumet në ski dhe mundje

31/12/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al