Ka qenë padyshim një vit i zi për artin dhe sportin viti që po lëmë pas. Pandemia e COVID-19, përveç mijëra e mijëra personave në botë, ka shkaktuar edhe vdekjen e shumë ish-sportistëve dhe personaliteteve të shquara, të lidhura me sportin shqiptar.
Skënder Kurti
Neri, siç e thërrisnin të gjithë, ish-kampioni i mundjes dhe boksit, ish-trajner i Tiranës dhe Kombëtares në boks, u largua para kohe nga kjo jetë, në moshën 61-vjeçare. Nuk ia doli të fitonte “ndeshjen e fortë” me korinavirusin.
Skënder Kurti lindi në 14 maj në 1959 dhe ka ushtruar sportin e mundjes që nga viti 1992 edhe të boksit, kur ky sport u lejua në vendin tonë. Këto dy sporte i ka ushtruar fillimisht me Gardën e Republikës, që organizonte kampionate në atë kohë. Më pas, Kurti krijoi ekipin e Tiranës në boks dhe si trajner i tij ka fituar 3 tituj kampion dhe 2 Kupa të Republikës. Për shumë vite ka qenë ndihmëstrajner i Kombëtares së boksit. Bashkë me trajnerët Gjoni të Vllaznisë dhe Zeneli të Flamurtarit, kanë drejtuar Kombëtaren e boksit, pasi këto tri skuadra kishin boksierët më të mirë.
Kurti ishte shtruar në spital prej datës 17 mars dhe vuante nga hipertensioni. Një javë më pas, më 23 mars, gjendja iu përkeqësua rëndë duke kaluar në koma, gjendje prej së cilës ai nuk doli dot.
Ilir Gjebrea
Covid-19 nuk ka kursyer as jetën e një prej notarëve më të mirë që ka historia e sportit shqiptar, Ilir Gjebrea. Prej disa ditësh sportisti veteran kurohej pas infektimit , ndërsa ka humbur jetën në banesën e tij në Tiranë.
Gjebrea ka qenë një nga rekordmenët e notit që ka garuar kryesisht në 100 dhe 200 metra. Ai njihej me nofkën ‘peshkaqeni’. Pas tërheqjes nga noti, Gjebrea punoi si trajner i moshave të reja, duke nxjerrë notarë mjaft të zotë.
Petraq Gjogu
Më 30 nëntor, do të shuhej në moshën 72-vjeçare nga Covid-19 basketbollisti beratas dhe arbitër i ndeshjeve të volejbollit, Petraq Gjogu.
72-vjeçari Petraq Gjogu ka qenë basketbollist i ekipit të Tomorit deri në vitet ’99 dhe më pas ai u emërua gjyqtar i ndeshjeve të volejbollit në vend. Në vitin 2001,Gjogu u emërua Kryegjyqtar i Kolegjit te Arbitrave për volejbollin në Berat.
Petrit Murzaku
Petrit Murzaku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai kishte një karrierë mbresëlënëse dhe numëron tituj të shumtë kampionë si volejbollist, basketbollist, futbollist dhe madje ka spikatur edhe në atletikë. Përpos rekordeve të shumta si sportist, Murzaku vijoi të jepte kontributin e tij për sportin si trajner e specialist i përgatitjes fizike në shkolla të specializuara ushtarake.
Ai gëzonte respektin e të gjithë komunitetit sportiv, por edhe më gjerë dhe përveç titujve të fituar në fushë, Murzaku ishte nderuar nga autoritetet shtetërore ndër vite me shumë tituj nderi e medalje, si rrallëkush, duke marrë një vend të veçantë në historinë e sportit shqiptar.
Haki Agalliu
Peshëngritja shqiptare humbi një tjetër figurë, pasi u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare Haki Agalliu.
Ai ka qene peshëngritës dhe trajner i ekipit te Partizanit dhe ekipit Kombëtar qe nga vitet 1960. Në vijim, ai ka kryer edhe detyrën e anëtarit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për 8 vjet, nga viti 2004,deri në 2008-ën, gjatë drejtimit të saj nga Presidenti Esat Ademi.
Emri i Haki Agalliut është emër i respektuar i peshëngritjes shqiptare ne disa dekada dhe për këtë kontribut, Ademi e propozoi emrin e tij për dekorimin nga Federata Evropiane e Peshëngritjes (EWF), propozim që u miratua në vitin 2008.
Viron Toska
Trajneri i ekipit të basketbollit për femra “Flamurtari’”, Viron Toska ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.
Prej më shumë se një dekade, Toska ka drejtuar ekipin e basketbollit për femra të Flamurtarit, ekip me të cilin e ka shpallur 15 herë kampion, teksa në 10 vitet e fundit ka shënuar 29 trofe. Në karrierën e tij numërohen mbi 35 tituj të fituar me Flamurtarin, në kampionat, Kupë apo evente të tjera kombëtare, një trajner i suksesshëm, që ka drejtuar edhe kombëtaren e femrave.
Pallati i sportit në Vlorë ka marrë emrin “Viron Toska”, në nderim ish-trajnerit dhe shefit të klubit të Flamurtarit në basketboll për femra.
Gonxhe Rexhepi
Covid-19 i mori jetën Gonxhe Rexhepit, ish volejbollistes së Vllaznisë. Rexhepi ishte 57 vjeçe dhe i përket një brezi të talentuar të volejbollit shkodran.
Sabri Balla
Ndarja nga jeta e ish-futbollistit të Partizanit, Sabri Balla, ishte një lajm i trishtë për të gjithë futbolldashësit dhe veçanërisht tifozët e klubit kryeqytetas.
Ai ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Akademisë së Partizanit. Në sezonin 1984-1985 në moshën 18- vjeçare, ai do të përfshihej në ekipin e parë , duke luajtur edhe titullar në formacion. Një mesfushor i pa lodhur, i cili me paraqitjet e tij të shkëlqyera mori edhe ftesën nga ekipi përfaqësues Shpresa. Balla ishte pjesë e ekipit të Partizanit finalist i Kupës së Shqipërisë në 1985, krahas emrave të spikatur të ekipit si Hysi, Musta, Lame, Ocelli, Gega, Hametaj, Kushta, Eksarko, Agalliu, Duro, Lika etj. Sezoni 1985-86 do të ishte i fundit për të me fanellën e kuqe , pasi karriera e tij do të mbyllej shumë shpejt si pasojë e një dëmtimi të parikuperueshëm.
Otto Baric
Kjo flamë mori me vete në moshën 87-vjeçare ish-trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Otto Baric. Kroati i njohur, ishte prekur nga Covid-19 dhe ishte shtruar në spital prej disa ditësh, por nuk ka mundur ta kalojë situatën edhe për shkak të moshës.
Baric është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit kroat. Ai ka drejtuar shumë skuadra gjatë karrierës së tij, që e mbylli në stolin e Shqipërisë në periudhën 2006-2007. Në atë kohë Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar disa ndeshje të mira, ku dora e Baric është ndjerë jo pak në aspektin taktik. Ai ka drejtuar gjithashtu edhe kombëtaren e Kroacisë dhe atë austriake.
Në nivel klubesh, Otto Barc ka drejtuar Stuttgartin në Gjermani, Rapidin e Vjenës dhe Sturm Grazin në Austri, Fenerbahcen në Turqi dhe shumë skuadra të tjera më pak të njohura.
Nikolin Lorenci
Si pasojë e Covid 19, ka vdekur ish-futbollistit i njohur nga Lezha, Nikolin Lorenci. Lezhjani ka dhënë një kontribut të madh për futbollin shqiptar ndër vite, fillimisht si futbollist i Besëlidhjes e më pas si trajner dhe në postin e drejtuesit të klubit. Gjithashtu, Lorenci ka dhënë ndihmen e tij për FSHF-në, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i Federatës ne mesin e viteve ‘ 90.
Shkëlqim Troplini
Covid-19 i morri jetën një tjetër ikone të sportit shqiptar. Ish-kampioni i mundjes dhe i xhudos, Shkëlqim Troplini, humbi betejën me virusin vdekjeprurës në qytetin e Durrësit.
Prej vitit 1987 deri më 2003 ai ka qenë një prej sportistëve më të mirë në disiplinën e mundjes së lirë, ndërsa është shpallur edhe kampion i Shqipërisë në sportin e xhudos.
Pasi u rendit në tetëshen europiane në vitin 1995, Troplini mori pjesë edhe në Olimpiadën e Atlantës në vitin 1996. Më pas kontributi i tij është shtrirë edhe në fushën e trajningut në futboll, ku për një periudhë të gjatë ka qenë edhe zv/trajner i Erzenit.
Dorian Tahirllari
Futbollisti i Skënderbeut Dorian Tahirllari ndërroi jetë në moshën 18-vjeçare, duke humbur betejën me sëmundjen e rëndë që vuante prej disa kohësh.
18-vjeçari vuante nga një tumor malinj, por pavarësisht operacioneve dhe tentativave të mjekëve nuk arriti dot t’i mbijetonte sëmundjes. Tahirllari ka qenë pjesë e moshave të ekipit të Skënderbeut.
Klavio Meça
Në ditët e fundit të vitit ndërroi jetë në moshën 24-vjeçare, për shkak të një sulmi në zemër, notari Klavio Meça, i konsideruar si ardhmja e notit në vendin tonë.
Sportisti nga Fushë-Kruja kishte vendosur rekord kombëtar në Hungari, në 400 metra stil i lirë, duke arritur kohën 4’04”03.