Eliona Pitarka ka reaguar publikisht pas deklaratës së mjekut ku ajo viziton vajzat, i cili u shpreh se nuk ka autorizuar përdorimin e emrit të tij për promovime dietash për fëmijë dhe paralajmëroi për kujdes ndaj dezinformimit.
Përmes një sërë postimesh në InstaStory, Eliona thekson se është e tronditur nga mënyra se si po trajtohet situata publikisht, sidomos kur bëhet fjalë për një klinikë që, sipas saj, prej vitesh ndjek shëndetin e fëmijëve të saj.
Ajo sqaron se me mjekun në fjalë, Dr. Edin, ka pasur dhe vazhdon të ketë një marrëdhënie shumë të mirë profesionale dhe njerëzore, duke e vlerësuar gjithmonë figurën e tij si profesionist. Sipas saj, informacionet që ka ndarë ndër vite kanë qenë vetëm të përgjithshme dhe me qëllim ndihmën e prindërve të tjerë, veçanërisht atyre që nuk kanë mundësi të shkojnë shpesh në vizita apo të përballojnë koston e klinikave private.
“Dua ta bëj shumë të qartë: unë kam dhënë vetëm informacion të përgjithshëm, asnjëherë nuk kam bërë publike regjimin ushqimor të fëmijëve të mi dhe asnjëherë nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte, bashkëpunime apo përfitime personale”, shprehet ajo.
Eliona shton se në komunikimet e mëparshme me vetë mjekun ka marrë mbështetje dhe miratim që të vazhdojë të ndajë informacione të përgjithshme për të ndihmuar nënat e tjera, duke theksuar se kjo nuk përbën shkelje etike, por ndërgjegjësim.
Në fund, ajo nënvizon se do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, e ndershme dhe gjithmonë në anën e prindërve, pa dëmtuar kurrë figurën e asnjë mjeku apo profesionisti.
![]()









