Kategoria Superiore ka mbyllur tashmë më shumë se gjysmën e saj, teksa janë zhvilluar 23 javë kampionat, duke ofruar një panoramë më të qartë mbi ecurinë e skuadrave në këtë sezon.
Partizani, pas këtyre javëve, numëron 30 pikë në renditje, një shifër më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Në edicionin e kaluar, pas 23 javësh kampionat, të kuqtë kishin grumbulluar 39 pikë, duke qenë në një pozicion më të favorshëm në tabelë dhe më pranë zonës së kreut, teksa në fund ia dolën edhe të preknin pjesëmarrjen në “Final Four” duke u renditur të katërtit ndërsa lanë jashtë Elbasanin.
Diferenca prej nëntë pikësh mes dy sezoneve pasqyron një ecuri më të vështirë për Partizanin në këtë edicion dhe kjo është reflektuar edhe në renditjen e skuadrës që prej javëve të para mungon në katërshen e parë. Gjatë këtij sezoni, skuadra ka hasur vështirësi në sigurimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive, duke alternuar fitoret me barazime dhe humbje. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në numrin e pikëve të grumbulluara dhe në pozicionin aktual në renditje. Ndryshe ka qenë situata një sezon më parë, kur Partizani arriti të ruajë një stabilitet më të madh në rezultate, sidomos edhe në ndeshjet ndaj kundërshtarëve direktë.
Në sezonin aktual, Partizani ka humbur disa pikë të rëndësishme duke mos arritur që të jetë në pozcion komod sa i takon objektivit të drejtuesve për t’u renditur mes katër të parëve. Pavarësisht diferencës në pikë, kampionati mbetet ende i hapur teksa mbeten edhe 13 javë të tjera për t’u zhvilluar. Partizani ka ende mundësi për të përmirësuar bilancin e statistikat e tij dhe për të tentuar vendin e katërt që aktualisht mbahet nga Dinamo (35) me pesë pikë më shumë se kryeqytetasit.
Në këtë fazë të sezonit, stafi teknik dhe lojtarët janë të fokusuar në vazhdimësinë e garës, pasi çdo ndeshje i ngjan një finale ku hapat fals nuk lejohen. Me 30 pikë pas 23 javësh në këtë sezon dhe 39 pikë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, Partizani përballet me një realitet ndryshe, ku puna për të arritur objektivin është gati dyfish më e vështirë, ndërsa kundërshtarët e kampionatit gjithashtu janë të shtrënguar për të marrë pikë duke qenë se Superiorja këtë sezon po ofron një garë të ashpër si për kreun ashtu edhe për fundin e klasifikimit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









