Ka një vëmendje në rritje drejt muzeve, parqeve arkeologjike dhe qyteteve që janë sot pjesë e trashëgimisë botërore dhe mbrohen nga UNESCO. Kjo vjen në një kohë kur Shqipëria po përjeton edhe vitet e saj më të mira në turizëm me rritjen e dukshme të vizitorëve të huaj. Si pjesë e axhendës së Ministrisë së Kulturës. Numri i vizitorëve gjithsej në muze, kala dhe parqe arkeologjike, në tremujorin e tretë 2019 ishte 518.365 vizitorë. Numri i vizitorëve gjithsej të huaj në muze, kala dhe parqe arkeologjike ishte 316.835, duke shënuar një rritje me 6,0 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve Ministria e Kulturës ka miratuar një strategji disavjeçare me fokus kulturën i cili shkon deri në vitin 2025 dhe që parashikon që të paktën në tre vitet e para për realizmin e disa objektivave të vihen në dispozicion 48 milionë euro të ndara në mënyrë të barabartë. Ministria nënvizon se janë përgatitur projektet për rikualifikimin dhe rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar, si dhe për rehabilitimin e godinës së Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura, të cilat do të zbatohen në vitet në vijim nga buxheti i shtetit dhe në partneritet me donatorët.
Një tjetër aspekt që trajtohet në strategji është ajo e planeve të menaxhimit në parqet arkeologjike. Sipas Ministrisë strategjia ndalet edhe tek hartimi i planeve të menaxhimit të pasurive kulturore për administrim në mënyrë direkte dhe indirekte, si risi që sjell Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe muzetë që synon ndryshimin në tërësi të qasjes së shoqërisë ndaj pasurive kulturore. “Planet e planifikuara dhe jo vetëm janë për Parkun Arkeologjik Butrintit, drafti i të cilit tashmë është hartuar me mbështetjen e partnerëve strategjikë dhe që është hedhur në diskutim publik për përmbajtën. Ka filluar puna në hartimin e planit të menaxhimit për Qendrat Historike, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në vijim do të punohet në hartimin e planit të menaxhimit të Parkut Arkeologjik Bylis, Apolonia, Kalaja Shkodër” thuhet në strategji.