Autoriteti i lartë shëndetësor në Suedi ka raportuar se njerëzit që janë infektuar nga koronavirusi, ka të ngjarë të jenë imunë të paktën gjashtë muaj pasi të infektohen, pavarësisht nëse ata kanë zhvilluar antitrupa apo jo.
Në listën e re të udhëzimeve të botuara të martën, Agjensia Suedeze e Shëndetit Publik tha se tani konsiderohet e sigurt për individët që janë infektuar nëse vijnë në kontakt me njerëzit në grupe me rrezik të lartë.
“Ne nuk shohim raste kur njerëzit sëmuren dy herë nga Covid-19. Prandaj, vlerësimi ynë është që nëse merrni Covid-19, jeni imun, edhe nëse nuk zhvilloni antitrupa.”- tha epidemiologu shtetëror Anders Tegnell gjatë një konference për shtyp në Stokholm.
Megjithatë agjensia u shpreh se njerëzit që konsiderohen të imunizuar mund të veprojnë ende si bartës të virusit në shoqëri, dhe për këtë arsye duhet të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet për distancimin shoqëror dhe higjenën.
Reagimi i antitrupave ndaj Covid-19 është duke u studiuar nga afër nga shkencëtarët në të gjithë botën për indikacionet se sa mund të zgjasë imuniteti. Ndërsa ka pak prova që sugjerojnë rikthime që po raportohen në mënyrë sporadike në disa vende.
Një studim i kohëve të fundit nga King’s College London tregoi se niveli i antitrupave mund të bjerë në një shkallë që i ekspozon menjëherë personat pas tre muajve nga infeksioni. Por trupi bart edhe forma të tjera të përgjigjeve ndaj imunitetit, duke përfshirë që nga të ashtuquajturat qelizat-T, të cilat duket se luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër Covid-19.
Hulumtimet nga Instituti Karolinska i Suedisë kanë treguar se rreth dy herë më shumë njerëz të infektuar nga Covid-19 kanë zhvilluar një përgjigje të imunitetit të ndërmjetësuar nga qeliza T sesa ata që kanë një nivel të detektueshëm të antitrupave.
“Rreziku i riinfektimimt dhe i transmetimit të sëmundjes te njerëzit e tjerë është ndoshta shumë afër zeros. Prandaj, ne mendojmë se mund të takoni njerëz të tjerë, edhe nëse ata janë në një grup me rrezikshmëri të lartë.”– u shpreh Tegnell
Theksojmë se Tegnell mbetet një figurë e diskutueshme për vendimin e tij për të këshilluar kundër vendosjes së një bllokimi të duhur në Suedi. Deri më tani Suedia ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve në botë, i matur për 100,000, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.
Tegnell këmbëngul se strategjia e tij përfundimisht do të dëshmohet një sukses, kjo pasi ai vihet nën sulm nga akademikë dhe shkencëtarë në vendin e tij, të cilët thonë se ai ka keqpërdorur krizën.
Çfarë thotë CDC mbi imunitetin:
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve aktualisht rekomandon që personat që janë rikuperuar nga Covid-19 duhet të ndjekin rekomandimet e karantinës, nëse ato identifikohen si kontakt i një rasti të ri, kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga fillimi i sëmundjes.
Një ditë më parë Tegnell deklaroi se Suedia “ndoshta” ka arritur një normë mjaft të lartë të imunitetit të tufës, për të cilin ai parashikon se do ta mbrojë vendin e tij nga shpërthimet e reja.
“Përfundimi është se epidemia tani po ngadalësohet shumë dhe në mënyrë drastike, unë mendoj se pak prej nesh do të kishin menduar disa javë më parë. Jam shumë i lumtur për këtë. Kjo e bën më të lehtë për shërbimet e kujdesit shëndetësor, dhe ne kemi më pak fatalitete.”– përfundoi eksperti suedez./ Bloomberg