Luftëtari ka arritur objektivin minimal të qëndrimit në Superligë, por tashmë kërkon më shumë. Me një vend të katërt mund të shkojë në Europë, por për këtë i duhet ndihma e Skënderbeut, kundërshtarit të sotëm, që duhet të fitojë finalen e Kupës së Shqipërisë me Tiranën. Korçarët ndërkohë janë ende në garë për titullin dhe, me formën që gëzojnë, besojnë se mund t’i fitojnë të gjitha ndeshjet, ku transferta e sotme është nga më delikatet. Është e qartë se të dyja skuadrave u duhet vetëm fitorja për të mbetur në garë, ndaj dhe ndeshja pritet të jetë me theks sulmues nga fillimi deri në fund. Në fakt, të dy ekipet e kanë karakteristikë të tyre lojën sulmuese, por objektivi që kanë bën që asnjëri prej tyre të mos mendojë për barazimin, që në kushte të tjera nuk do të ishte keq. Më të nevojshme fitoren sigurisht që e kanë kampionët në fuqi, të cilët shpresojnë ta mbajnë kurorën, kurse gjirokastritët kanë më pak presion, sepse, në fund të fundit, e kanë siguruar qëndrimin në elitë. Ky është një plus për ta, ashtu si mbështetja e tifozërisë, ndërsa korçarët kanë kualitetin dhe përvojën si “levat” e tyre në këtë ndeshje, në raport me kundërshtarin.
DAJA – Heshtja e shtypit, e vendosur nga klubi juglindor para pak ditësh, është thyer me daljen e trajnerit Ilir Daja, i vetmi që është lejuar të flasë për ndeshjen e sotme. Trajneri kryeqytetas ka theksuar se Skënderbeu do të respektojë kundërshtarin, por do të bëjë gjithçka në fushë për 3 pikët: “Luftëtari është një kundërshtar shumë i respektuar për paraqitjen e tij në këtë kampionat. Ne po kalojmë një moment shumë të mirë dhe, duke parë pozitat dhe objektivat, jemi të destinuar të fitojmë. E kam studiuar mirë lojën e Luftëtarit, që ka disa anë pozitive, por natyrisht, do të shfrytëzojmë edhe ato që i shoh si pika të dobëta dhe që nuk mund t’i them. Na duhet vetëm fitorja dhe për të do të luajmë deri në minutën e fundit. Skënderbeu mund të them se do të luajë me po atë formacion të javëve të fundit, sepse dihet që një formacion fitues nuk ka nevojë për ndryshime, përkundrazi kërkon konsolidim. Mund të them se ekipi është shumë lart moralisht dhe në grup ka një frymë besimi dhe bashkëpunimi, diçka shumë e rëndësishme në futboll. Kjo na bën të besojmë për fitoren e radhës”, – tha dje mes të tjerash trajneri Daja.
Formacioni fitues nuk ndryshon
Skënderbeu ka mbyllur dhe për këtë transfertë të vështirë mësohet se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në formacion. Janë të njëjtët emra, por kuptohet që detyrat taktike në ndaj Luftëtarit mund të jenë të tjera, duke iu përshtatur cilësive të kundërshtarit. Kështu, trajneri Daja ka kërkuar nga Latifi dhe Xhemjs të jenë sa më afër mesfushës, duke ndihmuar në fazën mbrojtëse. Mungojnë për shkak dëmtimi vetëm Lilaj dhe Ogunxhimi.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani, Orelesi – Gavazaj, Xhejms, Latifi – Salihi/ sport ekspres