Me fjalën ‘turp’ e nis Vangjel Tavo reagimin e tij në Facebook për përplasjen e ndodhur një ditë më parë në Tiranë mes policisë dhe disa banorëve që kundërshtonin ndërhyrjen e përmbarimit për të prishur shtëpinë. Ky reagim i Tavos vjen një ditë pasi KQZ-ja mori vendim që mandati i tij i deputetit t’i kalonte Ediola Brahës. Natyrisht që skenat e djeshme në Tiranë nuk ishin normale dhe janë të dënueshme, por edhe reagimi i Tavos nuk vjen për shkak të sensibilitetit të tij të lartë ndaj qytetarëve. Ai thjesht po bën politikë. Mos harroni se është i njëjti Vangjel Tavo që ende sot e kësaj dite s’ka dënuar thirrjet antishqiptare në Bularat gjatë varrimit të ekstremistit Kostandin Kacifas. Ja cfarë shkruan ish-deputeti i LSI-së në faqen e tij në Facebook.
Këto skena janë ngjethëse. Asnjë autoritet, qeveri, organ ligjzbatues, etj, nuk duhet t’i trajtojë fëmijët, nënat, gratë shtatzëna, e të moshuarit në këtë mënyrë. Sot kjo pamje është nga Tirana, por nesër do të përsëritet në Këlcyrë me dhjetra familjet që do u prishen banesat.
Qeveri pa logjikë, pa zemër dhe pa dashuri për popullin e vet. Tashmë e keni shkruar emrin tuaj në kapitullin e turpit të këtij vendi. Ndaloni terrorin ndaj shqiptarëve. Ndaloni prishjen e banesave dhe rrënimin e familjeve në Këlcyrë, Tiranë e në çdo vend të Shqipërisë ku padrejtësia rëndon mbi shqiptarët e pambrojtur. Tregoni që jeni qenie njerëzore dhe jo kafshë politike që sillen si egërsira të pamoralshme. Turp për këdo që prek një fëmijë dhe shkatërron një shtëpi dhe familje. Turp! Zemërimi i një populli të tërë sot qëndron mbi ju.