Familja Halili, një prej familjeve të shumta të cilat kanë rënë pre e mashtrimit financiar të qendrës Star, dhe Micro Credit Albania, rrëfeu historinë e saj në emisionin Zona Zero me Milaim Zekën në Top News.
Meleqe dhe Agim Halili nuk kanë marrë asnjëherë kredi në një bankë të nivelit të dytë, por kanë dalë garant për kushëririn e tyre në një bankë të nivelit të dytë. Për mosshlyerjen e detyrimit nga i afërmi i tyre, qendra Star i njoftoi për sekuestrimin e tre kateve të shtëpisë së tyre private dhe oborrin. Për t’i shpëtuar sekuestros familja Halili mori një kredi në Micro Credit Albania, ku sot e kësaj ditë dy pensionistët depozitojnë çdo muaj të ardhurat e pakta nga pensioni dhe puna e fëmijëve në emigracion.
Jo vetëm dëm financiar, por Micro Credit Albania, i ka shkaktuar dy të moshuarve një dëm të parikuperueshëm shëndetësor dhe psikologjik, duke i sorollatur nëpër institucione në Lushnje dhe Tiranë dhe duke i marrë edhe qindarkat e fundit.
Lajmi për revokimin e licencës së Micro Credit Albania nga Banka e Shqipërisë dhe vendosja e masave të sigurisë për administratorët e këtyre institucioneve, dha një dritë shprese në shtëpinë Halili, megjithëse ende nuk kanë marrë asnjë informacon zyrtar se çfarë do të ndodhë me këstet e ardhshme të kredisë të marrë në Micro Credit Albania./ Top News