A ishte Mihal Kokëdhima një person me precedent penal dhe shteti kishte dijeni për sjelljet e tij ndaj ligjit dhe klientëve? Në më pak se 24 orë, ai për shkak të dhunës së ushtruar ndaj turistëve spanjollë mes tyre dhe familjes së miliarderit Eugen Galdon u kthye në njeriun më të komentuar dhe publik, kjo edhe përtej kufijve shqiptar.
Por një vëzhgim i ReportTv nxjerr në pah se Kokëdhima rezulton se për institucionet shtetërore nga Vlora në Sarandë është po aq i njohur për shkeljet e ligjit por i toleruar nga drejtësia dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Në 2015, Mihali është përballur me drejtësinë për veprën penale të vjedhjes së energjisë dhe vetëm në prill 2016, ai është dënuar nga gjykata e Vlorës. Prokuroria fillimisht ka kërkuar tre muaj burg për Mihal Kokëdhimën ndërsa ai është dënuar me 18 muaj me kusht që të mos kryej vepër tjetër penale por të mbaj kontakte me shërbimin e provës.
Pa u mbushur një vit nga ky dënim i drejtësisë shqiptare, Mihal Kokëdhima është rikthyer sërish me shkeljen e ligjit, këtë herë me ndërtim pa leje në pronën që ai ishte administrator në resortin “Panorama”. Këtë herë prokuroria Eranda Laze siç shihni në këtë dokument të siguruar nga ReportTv ka kërkuar një vit burg, por në aplikim të nenit 59, Mihal Kokëdhimës sërish i është pezulluar burgu për t’iu kthyer në shërbim prove me kushtin që të mos kryej tjetër vepër penale./ report tv