Qeveria shqiptare ka shpallur 13 shkurtin ditë zie kombëtare në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit tragjik në Turqi e Siri, që deri më tani kanë kaluar shifrën 20 mijë. Në një postim Në Instagram, kryeministri Edi Rama shkruan se kjy vendim është marrë në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë dhe për Turqinë mike, e cila u gjend pranë vendit tonë kur një fatkeqësi e ngjashme e goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Flamuri Kombëtar shqiptar do të ulet në gjysmë shtizë.
Postimi:
Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë.









