52 shtetas grekë janë shpallur non-grata nga Republika e Shqipërisë pas sjelljeve ekstremiste që u regjistruan dje gjatë ceremonisë mortore te Kostandions Kacifas.
Vendimi u bë i ditur nga zv.ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi në një konferencë për shtyp.
Sipas Lleshit, ministria e Brendshme ka vendosur: “Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi.”