Thomas Muller ka pranuar se është i hapur të ndjekë rrugën e Thiago Alcantara, jashtë “Allianz Arena”. Ai këmbëngul se nuk është “i fiksuar” me Bayern Munich. Sulmuesi e filloi karrierën profesionale te bavarezët në vitin 2008 dhe që atëherë e ka ndihmuar klubin të arrijë suksese të mëdha në Gjermani, si dhe në Ligën e Kampionëve.
31-vjeçari mbetet një lojtar kryesor i skuadrës, por refuzon ta përjashtojë një transferim diku tjetër në të ardhmen e afërt. Për këtë përmend transferimin e Thiago Alcantara në vitin 2020 (te Liverpool) si provë se askush nuk është i lidhur me klubin pa kushte.
“Unë nuk jam i fiksuar me këtë klub, – tha su lmuesi i Bayernit për “The Times”. – Kam një marrëdhënie të veçantë, e doja Bayernin para se të filloja të luaja për të, por kur ekziston një situate, në të cilën duhet të vendosësh që ndoshta të luash për një klub tjetër, nuk do të ishte turp ta bëja, pa asnjë problem. Ndoshta më ndodh si Thiago Alcantara, që tani luan te Liverpool”.
Një numër i klubeve më të mira europiane janë kredituar me interes për Muller në të kaluarën, duke përfshirë Manchester United dhe Real Madridin. Liverpool ka qenë gjithashtu i lidhur me lojtarin gjerman dhe komentet e tij të fundit mund të ringjallin thashethemet për një kalim të mundshëm në “Anfield”, gjatë verës.