Florian Kamberi ka mbetur në një udhë pa krye. Sulmuesi i kombëtares sonë në merkaton e dimrit la Hibernian për të kaluar në huazim te Reinxhers, po në Skoci.
Me kalimin në skuadrën e drejtuar nga Stiven Xherard ai lëshoi disa deklarata dashurie për këtë klub dhe fansat. Fjalët e tij ndikuan shumë keq te tifozët dhe drejtuesit e Hibernian, që nuk e kanë kapërdirë aspak këtë veprim të 25-vjeçarit.
Fundi i huazimit erdhi në fillim të këtij muaji dhe Reinxhers vendosi të mos e blejë sulmuesin, me Kamberin, që u kthye te Hibernian. Por vetëm si “tranzit”.
Tifozët dhe drejtuesit nuk e duan sulmuesin në ekip dhe do e largojnë këtë verë. Këtë fakt e zbuluan mediet javë më parë dhe tashmë e konfirmon vetë trajneri i Hibernian, Xhek Roz. Ai shprehet se nuk e ka në plane Kamberin dhe klubi duhet të gjejë shpejt një zgjidhje për largimin e tij.
“Ai mbetet një lojtar i Hibernian sepse ka kontratë me klubin edhe për një tjetër sezon, por Kamberi nuk është në planet e mia të parasezonit ose për të luajtur ndonjë ndeshje.
Ai nuk bën pjesë në planet e mia për sezonin e ardhshëm, kështu që në duhet të gjejmë një zgjidhjë për të dyja palët sa më shpejt të jetë e mundur. Sa më shpejt që të mbyllet, aq më mirë për Florianin si lojtar dhe për ne si klub”, u shpreh trajneri i Hibernian. Për Kamberin flitet se ka shprehur interes klubi zviceran i St Galen.
REMOTE_ADDR:[]







