Ndeshja mes Ventspils dhe Luftëtarit në Ligën e Europës u zhvillua në një stadium me vetëm një tribunë dhe me pjesën tjetër të impiantit të rrethuar me gardh për të ndaluar hyrjen e tifozëve në fushë. Por për trajnerin e Luftëtarit, Milosh Koshtiç, ky stadium ishte i një nivel që ai shpresonte që Shqipëria të arrinte në të ardhmen.
“Fusha ishte shumë e mirë, shumë kushte të mira. Edhe pritja e klubit ishte ne nivel, nuk mund të themi asgjë rreth kësaj. Po, në Shqipëri po zhvillohen shpejt dhe shpresoj që të arrijmë këtë nivel shpejt, por për stadiumet nuk janë ende në këto kushte.
Ne luajmë jashtë qytetit tonë ndeshjen e dytë dhe nuk mund të ndryshojmë këtë gjë kaq shpejt, por shpresoj që në një të ardhme të afërt të arrijmë në këto nivele”, ishte deklarata e çuditshme e Koshtiç, duke llogaritur se edhe stadiumi i Gjirokastrës, të paktën në pamjen e jashtme, është shumë më i kompletuar se ai i Ventspils.