Nga Aranit Muraçi
Është kjo katandisja e hekurudhave tona sot. Rreth 10 vite më parë mbi këtë urë kaloi treni i fundit i marrë me qira nga këngëtarja Elvana Gjata, për xhirimin e një vidioklipi të një prej këngëve të saj.
“Lejla” titullohej kënga e saj, ndërsa treni ishte ngjyrosur me ngjyrat e “Rilindjes”. Disa përfaqësues të PD-së vrapuan të filmonin dhe të denonconin ngjyrat e pazakonta, por ekipi i këngëtares iu tha se ka kohë që treni nuk ekziston dhe ngjyra e përzgjedhur nuk ka lidhje me PS-në, por me titullin e këngës. E tillë ishte vëmendja dhe interesi që kishte treguar politika karshi hekurudhave.
Ironikisht kjo vepër i përket komunizmit.
U ndërtua tre dekada pas Luftës së II Botërore, gati po aq vite sa kanë kaluar sot pas rënies së regjimit. Në Shqipërinë e prapambetur treni që në fillimet e periudhës komuniste nga Tirana shkoi në Vlorë dhe Shkodër, duke lidhur dy kryeqendrat e veriut dhe të jugut me kryeqytetin. Pastaj deri në Pogradec, duke përshkruar male dhe kodra, pothuajse ashtu si kudo në Europë, në një terren të ngjashëm si në Zvicër.
Sot treni i vetëm që na ka mbetur, për arsye ende të paqarta, ka ngecur mes Tiranës dhe Durrësit!
Një inxhinier i kohës, i thyer në moshë dhe i kthyer nga emigracioni nuk i fshehu emocionet, ndoshta ngaqë ura i riktheu kujtimet e viteve të rinisë. E shihte atë me nostalgji dhe me keqardhje. Ishte katandisur hekurudha, si mos më keq? Tha se kjo vepër u ndërtua në fillim të viteve ‘70, me mund, djersë dhe sakrifica të shumta nga ajo që quhej ‘klasa punëtore’, të rinj vullnetarë përfshirë edhe studentë, të cilët erdhën nga të gjitha trevat e Shqipërisë, punohej dimër dhe vepër, natë dhe ditë, pa pushim, vetëm e vetëm që edhe Shqipëria të kishte hekurudha si e gjithë Europa.
Me keqardhje inxhinieri konstatoi se djersa dhe mundi i shqiptarëve për t’i ngritur të tilla vepra që sot do të kërkonin miliarda euro kishte shkuar për skrap. Mbi çfarë modeli ekonomik e projektuan këta Europën, kur në Gjermani dhe Zvicër, andej nga kishte emigruar ai tha se treni përshkruante çdo fshat dhe jo vetëm qytete, në çdo orë të ditës.
Është bërë edhe një film me titull “Treni niset në 7 pa 5”, që tregonte se sa shpejt e fituan shqiptarët kulturën për të udhëtuar me tren.
Ka parti që sot në këto 3 dekada ende mburren edhe për ato rrugë që i ndërtuan me para të marra kryesisht borxh, duke kontraktuar dhe paguar kompani dhe ekspertizë të huaj, ndërsa borxhi mbetet ende për t’u paguar nga shoqëria shqiptare.
Ato mburren me injorancën e tyre, apo të shqiptarëve!
Me përafërsi nga Elbasani deri në Pogradec, për të ngritur hekurudhën sot, do të duheshin rreth 10 miliard euro, një shifër gati e pamundur nga çdo qeveri postkomuniste.
E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Jo, si Greqia, as si Kroacia, Sllovenia. Serbia dhe Mali i Zi do të mbeten shumë pas nesh.
Cili vend tjetër në Ballkan nuk ka hekurudha sot, të cilit nuk i nevojitet më treni si një mjet më komod transporti dhe më i lirë për mallra dhe pasagjerë. Kush e zhduku trenin në Europën ku duam të shkojmë, si një mjet transporti që i sjell dëm ekonomisë.
A di kush, ka në Europë, ndonjë vend tjetër që ka mbetur pa tren?
Do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra! Kemi edhe ne male në Alpe, kodra, fusha, lumenj dhe liqene, pasuri nëntokësore dhe mbitokësore, dhe madje për turizëm kemi edhe detin që nuk e ka Zvicra. Për shumë vjet Shqipërisë iu premtua se do të bëhej si Zvicra.
Sloganet pas ndryshimeve politike të 30 viteve më parë vazhdojnë dhe përsëriten. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, zgjohen edhe sot, herë pas herë. Poshtë komunizmi! Ai na e ka fajin edhe sot në politikë dhe ekonomi!”
A ishte ai një slogan politik, përmes një modeli ekonomik piramidal që nisi dhe duket se nuk është ndalur duke u shfaqur herë pas here në një formë a tjetër, me moto që politikisht ka kuptimin: Poshtë komunizmi, grabit çfarë të mundesh dhe sa ke mundësi, Europa vjen vetë këtu, në Shqipëri!
“Ekspertë” ekonomie me etiketë dhe me “brirë” në ballë, për plot 30 vjet flasin me “ekspertizë” për terma si inflacion, deflacion, ekspansion, infrastrukturë, teknologji, kapital, punë, treg dhe konkurrencë e lirë, oligarki, korrupsion, menaxhim, administrim, marketing, financim, subvencionim, GDP, mirëqenie, çmime reference, efiçencë, projekt, efektivitet, produktivitet, lidership, motivim, shpërblim, dhe kur i japin shpjegim “shkencor” ekonomisë ndonjëherë përdorin edhe termin falimentim.
Shqipëria, një vend bujqësor dhe blegtoral, në mungesë të një modeli ekonomik që nuk e ngriti kurrë dhe duke qenë se shkatërroi më herët uzinat dhe fabrikat e përpunimit në vend që t’i zhvillonte dhe t’i kthente ato në faktor prodhimi, eksporton sot produkte dhe nën-produkte bujqësore dhe blegtorale nga vende fqinje, deri tek gjalpi, qumështi, djathi, mollët, ëmbëlsirat, lëngjet e frutave, konservat etj.
Me gjasa, përmes kësaj politike dhe modeli ekonomik, ndonjë parti do të kërkojë në tre dekadat e ardhshme zbulimin e anijes më të shpejtë kozmike dhe do t’ju premtojë shqiptarëve se nuk do të jetë as SHBA, as Rusia, as Kina, as ndonjë vend i BE, por ata që do të shkojnë të parët në Mars.