Sapo turisti nga Britania e Madhe, Ian Templeman u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Korfuzit të dielën e kaluar, ai duket se i nisi pushimet e tij si duhet me mesazhin që mori nga Sky Mobile duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri. Templeman nuk e dinte se duhet t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje tekstit që përmbante mesazhi.
Kjo sepse në vend që të tarifohej me 2 £ në ditë për të kryer telefonata të pakufizuara, mesazhe dhe të kishte akses në internet, siç është rasti në Greqi, përkundrazi Templeman u tarifua 2,16 £ për “megabyet”- t e dhëna, 2,16 £ në minutë për çdo telefonatë që bënte dhe 50p për çdo mesazh që dërgonte.
Përmes një llogaritje të thjeshtë përdorimi i Google Maps në telefonin e tij për vetëm 10 minuta kushton pothuajse 15 £. Në mëngjesin e së martës, më pak se 48 orë nga pushimet e tij, fatura e roaming-it të zotit Templeman kishte shkuar në 85 £ dhe pas kësaj ai vendosi të kontaktojë kompaninë telefonike Sky Mobile.
“I mora në telefon dhe u thashë se është bërë një gabim këtu, agjenti në telefon m’u përgjigj ‘jo ne të kemi dërguar një mesazh duke thënë se je në Shqipëri dhe për këtë arsye do të tarifohesh sikur të jesh në Shqipëri’. Nuk mund ta besoja. Po mendoja, a është ky një roman i vitit 1984? Unë jam në Greqi, nuk jam në Shqipëri. Është pak si të thuash se je në Dover, por ne do të të ngarkojmë sikur të jesh në Francë. Është qesharake.”, është shprehur Templeman, raporton The Telegraph.
Shpresa e tij se çështja do të zgjidhej shpejt ishte shumë e vogël. Templeman mori një përgjigje nga Sky Mobile duke i thënë se nuk do të rimbursohej dhe nëse nuk donte të kishte tarifa për roaming shqiptar, ai duhet të “shmangte thirrjet ose dërgimin e mesazheve”, “të çaktivizojë roamingun e të dhënave” ose “të provojë të kalojë në rrjetin e duhur duke zgjedhur manualisht një rrjet tjetër”.
Kompania celulare i ofroi 20 £ si një “gjest të mirë” për të mbyllur ankesën, duke shtuar: “Ne do të ishim të mendimit se ajo që është ofruar është e drejtë dhe e arsyeshme.”
Sky Mobile paralajmëron klientët në faqen e tij të internetit Korfuzi është një destinacion që ndonjëherë merr sinjale nga Shqipëria dhe për shkak se Greqia është pjesë e BE-së dhe Shqipëria jo, mund të rezultojë në tarifa shtesë roaming. Megjithatë, Templeman refuzoi shumën “e vogël” prej 20 £, për të cilën ai tha se iu ofrua “për të larguar çështjen pa mabjtur asnjë përgjegjësi”.
Ai tha: “Kjo çështje duhet të prekë shumë, shumë mijëra njerëz… dhe më pas të fajësohet dikush se nuk është aq i zgjuar në teknologji sa një konsulent IT. Është një praktikë e turpshme dhe nuk e trajton klientin me drejtësi.”
Korfuzi është një nga destinacionet më të njohura greke për pushuesit britanikë, me pothuajse gjysmë milioni vizitorë çdo vit. Ndërsa disa pika të ishullit mund të jenë deri në 20 milje larg nga toka shqiptare, në pikën e tij më të afërt, distanca është vetëm dy milje nga qyteti i Kalami në veri-lindje të ishullit.
Templeman nuk duket të jetë klienti i parë i Sky Mobile i goditur nga tarifat e roamingut shqiptar.Nën një forum ndihme të komunitetit të Sky, një klient shkruante se u faturua 39 £ kur telefoni i tyre u lidh automatikisht me një rrjet shqiptar për një ditë pushimi.
Ata thanë: “Më duhej të luftoja që më në fund Sky Mobile të pranonte të kthente 39 £. Duhet të ketë disa paralajmërime për udhëtarët se kjo mund të ndodhë.”
Pavarësisht se i tha Templeman se nuk do të merrte më rimbursim përtej 20 £ të ofruara, Sky Mobile e përshkallëzoi ankesën dhe u kthye në vendimin e tij fillestar 48 orë më vonë pasi u kontaktua nga The Telegraph.
Kompania shtoi në llogarinë e Templeman me 90 £ si një “gjest tjetër i mirë”, por e bëri të qartë se ky nuk ishte një rimbursim. Sky Mobile ndihmoi gjithashtu në shpjegimin se si Templeman mund të lidhej manualisht me një ofrues grek dhe që atëherë ai nuk ka marrë asnjë tarifë të mëtejshme roaming shqiptar.
Megjithatë, ai theksoi se nëse nuk do të ishte vigjilent në kontrollimin e faturës së tij në fillim të pushimeve ose të kishte qenë në telefon për vetëm një paradite, ai do të kishte paguar 375 £ nga xhepi.
Një zëdhënës i Sky Mobile tha: “Telefonat lidhen automatikisht me shtyllën e telekomit me sinjalin më të fortë, i cili në disa raste mund të jetë përtej kufirit. Ashtu si të gjithë ofruesit, ne nuk mund të kontrollojmë se me cilin lidhet një klient dhe t’i njoftojmë ata për tarifat e roaming bazuar në vendin ku është lidhur. Në këtë rast, ne e kemi kredituar llogarinë si një gjest vullneti të mirë.”/ Marrë nga The Telgraph.