Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i propozuari i kryeministrit Edi Rama për postin e përfaqësuesit të Lirisë së Medias në OSBE, pavarësisht një lobimi të fuqishëm, nuk ka mundur të zgjidhet në këtë post.
Përballë tij, me pëlqimin e Edi Ramës ka triumfuar portugezja Teresa Ribeiro.
Përpjekja për të marrë këtë post nga Ditmir Bushati nisi më 19 shtator të këtij viti, kur kryeministri Edi Rama, kryesues i OSBE-s bëri publik emrin e ish-ministrit për të zëvendësuar Harlem Désir.
Gjatë gjithë këtyre muajve të fundit, zoti Bushati për shkak të pozicionit të tij si ish-ministër i Jashtëm, por dhe i dërguar i Posaçëm i Kreut të OSBE-së, zhvilloi një lobim shumë të madh dhe kishte marrë një mbështetje të konsiderueshme për pozicionin e përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Por nuk ka mundur të marrë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga 57 vendet anëtare për këtë post të rëndësishëm në OSBE, pas procesit të një seance dëgjimore nga ku Bushati shpalosi platformën e tij. Burime nga OSBE në lidhje me këtë proces thanë se nga 11 kandidatë për 4 pozicionet kyçe të OSCE-së, kryesia shqiptare më datë 29 nëntor ka propozuar vetëm 4 kandidatë, ku nuk ishte emri i Ditmir Bushatit.
Do të jetë portugezja Teresa Ribeiro ajo e cila zëvendëson Harlem Désir si përfaqësues të Lirisë së Shtypit në OSBE. Diplomatja gjermane Helga Schmid ka marrë konsensusin për t’u emëruar sekretare e re e përgjithshme e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).
Zyra e OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve ODIHR do të drejtohet nga italiani Matteo Mecacci.