Kukësi ka një ndeshje të vështirë ditën e shtunë në transfertë me Flamurtarin dhe trajneri Peter Pacult me skuadrën e tij po punojnë për të marrë pikët e plota në këtë takim, çka do t’u jepte mundësinë të qëndronin të qetë në vendin e dytë, ndryshe më pas situata në kampionat do të ndizej tepër, pasi janë disa skuadra që kanë mundësinë të afrohen ndjeshëm në renditje me kampionët në fuqi. Fitorja e fundit në shtëpi me Vllazninë ka bërë që morali në skuadër të jetë i mirë, kurse për stafin teknik në ndeshjen e radhës do të mungojë një nga futbollistët titullarë për shkak kartonësh.
Për Besart Musollin ishte një sfidë e veçantë me shkodranët, pasi u nderua për arritjen e 200 ndeshje me fanellën e Kukësit dhe në ndeshjen e tij të 201-të arriti të realizojë golin e parë në Superiore, atë që edhe vulosi fitoren e skuadrës së tij ndaj kuqebluve. Ai moment nuk mund të kalonte pa festë, gjë që u shoqërua me karton të verdhë nga gjyqtari Eldorian Hamiti. Në këtë mënyrë ish-lojtari i Hysit në Kosovë ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë në Vlorë.
Trajneri Peter Pacult gjatë këtyre ditëve ka menduar edhe për lojtarin që do e zëvendësojë Musollin në ndeshjen me Flamurtarin. Dzaria do vijojë të jetë titullar në ndeshjen e radhës, kurse partner i tij në mesfushë pritet të jetë Eni Imami, lojtari polivalent nga kryeqyteti, që edhe më parë ka luajtur në atë pozicion.
Imami në ndeshjen e zhvilluar në Gjirokastër me Luftëtarin u la për shumë kohë në nxehmje dhe kjo nuk u prit mirë prej mesfushorit, i cili u shfaq i nervozuar pas ndeshjes. Gjithsesi për të vjen momentin që të zbresë në fushën e lojës në takimin e radhës me Flamurtarin në transfertë.