Nga Mero Baze
Një muaj më parë, shumë vetë në botë ishin të bindur se Putini do e merrte Ukrainën me lehtësinë që mori Krimenë dhe askush nuk do ta ndalte. Madje filluan të ngrihen mite mbi fuqinë dhe pamundësinë për ndaljen e ushtrisë ruse në këtë vendim. Shumë vetë e bazonin këtë me të drejtë tek nevoja që Putin ka për lavdi në muzgun e pushtetit të tij, dhe për kontrollin që ka mbi çdo segment të pushtetit të vet, ku zërat racionalë janë zhdukur.
Sot të gjithë jemi dëshmitarë se heroi i kësaj lufte nuk është Valdimir Putini, por një ish- humorist 44- vjeçar, që të vetmen gjë që ka marrë seriozisht në jetë, është mbrojtja e atdheut të vet. Besnikëria më e madhe e shfaqur ndonjëherë politikisht, është po në anën e Ukrainës.
Gjithë kabineti qeveritar, presidenti, ushtria dhe opozitarët janë në llogore. Askush se ka braktisur atdheun, ndërsa Putinit i janë ngritur mijëra qyetarë kundër në Moskë dhe Shën Petërsburg. Diktatori nuk ka vendosur dot njerëzit në rresht, ndërsa Zelinski, që deri dje e kemi parë vetëm duke qeshur, i ka të gjithë me vete.
Një muaj më pare, kur lufta po i afrohej kufirit, Ukraina dhe miliona njerëz të tjerë në botë u zemëruan me Gjermaninë, që ofroi si ndihmë për rrezikun e pushtimit rusë disa mijëra helmeta të ushtrisë së saj. Tre ditë më parë, Gjermania zhgënjeu sërish, kur hezitoi t’i bashkohej sanksioneve më të egra ekonomike financiare ndaj Rusisë, përfshi ndalimin e sëift-it bankar të Rusisë në Perëndim, çka rrënon transaksionet financiare dhe ekonominë ruse.
Mjaftuan 48 orë rezistencë nga Ukraina dhe vendosmëria e qytetarëve dhe lidershipit të vendit për të mbrojtur vendin e tyre, që gjërat të ndryshojnë.
Gjermania sot në mesditë ka lejuar furnizimin me armë të Ukrainës, duke lejuar Holandën të çojë aty raketa për sulme kundërajërore dhe në fund, t’i bashkohet dhe nismës së ndalimti të sëift-it për Rusinë.
Ky është avantazhi i një vendi të madh demokratik, të përgjegjshëm, i cili reflekton në kohë mbi atë që ndodh.
Një muaj më parë, NATO dhe Perëndimi në tërësi, po e shikonin kërcënimin e Ukrainës si çështje ekonomike dhe ndërsa flisnin broçkulla në ekrane, ulnin sytë poshtë tavolinës dhe numëronin me gishta fitimet apo humbjet nga Nord Stream 1, apo Nord Stream 2, nëse futeshin në telashe me Rusinë.
Sot, duke parë rezistencën ukrainase dhe rrezikun shumë herë më të madh që ka Evropa nga lufta e Putinit, po dërgojnë miliarda euro armatime dhe ndihma drejt Ukrainës.
Liderët rebelë të Evropës, si Orbani në Hungari, Mateusz Moraëiecki në Poloni, të cilët nuk kanë qenë në një gjatësi vale me Brukselin për shumë tema dhe shikohen si dele e zezë e Bashkimit Evropian, janë në vijën e parë të mbështetjes për Ukrainën dhe kanë dëshmuar përgjegjshmëri jo vetëm në ofrimin e ndihmës ndaj Ukrainës, por dhe në qëndrimin politik ndaj Putinit, me të cilin kanë pasur shumë qëndrime të përbashkëta më parë ndaj Evropës.
Po ashtu, lideri më i fuqishëm i rajonit jashtë Bashkimit Evropian, presidenti i Turqisë Erdogan, i njohur për miqësinë personale me Putinin, ka pranuar të bisedojë deri për ndalimin e kalimit të anijeve ruse në ngushticën e Bosforit, edhe pse nuk është para një vendimi final. Nga ana tjetër ai ka dënuar pushtimin dhe ka ofruar ndihmë për Ukrainën.
Një muaj më pare, por dhe deri ditë më parë, adhuruesit e Putinit në Shqipëri dhe rajon, i bënin jehonë ‘humorit rus’ kundër SHBA, se ku e dinte SHBA që do sulmonte Putin. U bë virale “batuta e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, që kërkoi nga CIA “t’i tregonte kur do shkonte me pushime”.
Në fakt, Shqipëria nuk është se ka shumë adhurues të Putinit. Ata që janë me të, janë më shumë anti-amerikanë të maskuar, se sa pro rusë. Për këtë arsye u ngjiste shumë gjuha tallëse e Rusisë ndaj SHBA. Po ti vësh re sot, edhe ata janë me Ukrainën, por fajësojnë Biden se ka prishur rendin botëror.
Një muaj më pare, kur vinte era e luftës, vendet baltike ishin të trembura nga agresioni rus dhe dukej se ato donin të silleshin politikisht korrekt me Mosken. Sot Lituania sapo njoftoi se ka bllokuar fluturimet me Rusinë, nën moton “Asnjë fluturim të agresorëve në qiellin e lirë”. Bashke me te dhe Estonia, e Letonia. Dhe kjo është një histori e madhe.
Beteja e Ukrainës ka ndryshuar gjithçka me shpejtësinë e plumbit dhe kjo falë rezistencës së tyre.
Kjo mund të jetë një luftë e gjatë dhe rrënuese për ta, por ajo që duket qartë është se Rusia mund të pushtojë territore, por jo Ukrainën. Ao nuk do ta marrë dot atë kurrë nën kontroll dhe do largohet andej e turpëruar.
Në sytë e botës, sot Ukraina është një vend i lavdishëm që po mbron shtëpinë e saj, ndërsa Rusia e Putinit, një vend agresor, që po shkakton fatkëqësi njerëzore.
Presidenti i Ukrainës mund dhe të vritet, apo të kapet rob, por ai i ka dhënë vendit institucionin e presidentit të Ukrainës që nuk vdes nga lufta, pasi ka vendosur një standart dinjiteti. Vladimir Putini mund të jetoj gjatë duke u ruajtur në bunker atomik, por ai ka vdekur dhe turpëruar postin e presidentit të Rusisë.
Mijëra urkainas mund të vdesin nga kjo luftë që u ka adhur tek dera e shtëpisë, por çdo ukrainas do jetë krenar për atë që ka bërë në këtë histori, përballë çdo rusi, që do jetë gjithë jetën kokëulur. Guximi i tyre për t’u përballur me ushtarët rus në çdo rrugë dhe prag shtëpie ka ndërtuar identitetin e tyre krenar në sytë e botës.
Vladimir Putini ka humbur betejën me historinë qysh tani. Beteja me Ukrainën është çështje kohe. Ukraina dhe beteja e saj, ka ndryshuar tashmë botën dhe e ka vendosur atë përballë Rusisë. Ne Kiev po luftohet tani ne emer te perendimit. Kjo është fitorja më e madhe e Ukrainës./ TemA