Akuzat dhe ofendimet e shumta që ka marrë pas deklaratës së bërë pak ditë më parë në një emision televiziv, ku tha se është grek, e kanë prekur shumë aktorin Laert Vasili, që ka shpërthyer ndaj këtyre komentuesve. I ftuar në emisionin “Ftesë për 5”, aktori është shprehur se ata që revoltohen në rrjetet sociale janë njerëz në mjerim për një pako fasule, që merren me nënë, babanë dhe pragun e shtëpisë së tij.
Ai tha se administratës nuk i interesojnë shqiptarët që jetojnë në Greqi, duke treguar se kur u kërcënua nga Agimi i Artë, administratë shtetërore nuk mbajti asnjë qëndrim për rrezikimin e jetës së një artisti shqiptar.
“Administratës nuk i plas për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Nëse do të jetonin në Itali apo gjermani, do t’i plaste. Kur më kërcënuan Agimi i Artë, a doli administrata shtetërore shqiptare të mbante një qëndrim? Sepse po rrezikohej një artist i tyre. Unë jam kinez, e ke problem që jam kinez dhe si kinez dëshiroj bashkimin e trojeve shqiptare? Jo, thoni faleminderit këtij kinezi që është me ne, atëherë unë jam grek. Revolta është për njerëzit që në mjerimin e tyre për një pako fasule, futen në rrjetet sociale dhe merren me nënën, babën e çfarë të përmban pragu i shtëpisë. Atëherë po jam grek. Do vazhdoj atë që kam bërë që 15 vjeç. Nëse kryengritjen kundër otomanëve që u kryesua nga arvanitasit, dhe i kanë të gjithë shtatoret në Greqi dhe ai shtet i nderon, dhe ky shtet i harron…atëherë çfarë të them unë”, tha aktori.