• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

‘Unë nuk njoh Zot’/ Zbardhet ‘testamenti’ i Nexhmije Hoxhës. Një prej djemve nuk i shkoi as në varrim

27/02/2020
“Nexhmija duhet të vdiste në burg. La pas trashëgimi kriminale”

Është publikuar letra e testamentit të gruas së diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila u nda nga jeta pasditen e djeshme në moshën 99-vjeçare në banesën e saj.

Në testamentin e publikuar nga gazeta “Dita” vihet re se e veja e diktatorit Enver Hoxha në asnjë moment nuk përmend Liljanën, nusen e djalit të saj, Sokolit.

Ajo përmend vetëm Ilirin dhe Pranverën, djalin dhe vajzën tjetër të saj, bashkë me pasardhësit e tyre.

Nexhmija vetëm njëherë e përmend djalin e saj, Sokolit në letër, ndërsa shan nusen e tij, Liljanën, por pa e përmendur me emër.

Po ashtu, në letër ajo nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimet e komunizmit, duke i legjitimuar veprimet e Enver Hoxhës si të duhurat.

Ndërkohë mësohet se Sokoli nuk i ka shkuar në varrim të ëmës së tij.

“Unë nuk njoh zot”, thekson Nexhmije Hoxha, e cila është akuzuar si bashkëpunëtore në krimet e komunizmit.

“Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”. Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës”, shkruhet ndër të tjera në letër.

Letra e plotë:

Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,

Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë.

Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës. Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit.

Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.

Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo. Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj… Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.

Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!). Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetëra e dhjetëra letra.

Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjes së Enverit.

Duke qenë ende në burg, Klemi më tha: “Ti ke në dispozicion shtëpinë tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të rregullohemi të vijmë edhe ne”. Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë, duke fjetur në divane e krevatë portativë. Po për shërbimet, ndihmat e përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.

Të dashur Ilir e Teuta,

Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin: Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!

Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije

Enver, Ilir dhe Teuta Hoxha:

Related Posts

Aksident në Finiq, plagoset rëndë shoferi
Kryesore

Aksident në Finiq, plagoset rëndë shoferi

23/12/2025
Kryesore

Konfiskohen 3 milionë euro pasuri në Gjirokastër/ Karburant, biznese, troje, banesa e magazina i kalojnë shtetit

23/12/2025
Morën para për të shpëtuar nga burgu një person, SPAK iu komunikon akuzat 2 ish-prokurorëve të Sarandës
Kryesore

Morën para për të shpëtuar nga burgu një person, SPAK iu komunikon akuzat 2 ish-prokurorëve të Sarandës

23/12/2025
I riu nga Gjirokastra kapet me kanabis në makinë
Kryesore

I riu nga Gjirokastra kapet me kanabis në makinë

23/12/2025
Pa patentë dhe me motor pa targa, arrestohet 18-vjeçari në Këlcyrë
Kryesore

Bëri ndërtim pa leje në Këlcyrë, nën hetim një person

23/12/2025
Arrestohet N/Komisari në Elbasan. Jepte para me fajde dhe i merrte mbrapsht me dhunë!
Kryesore

Gjirokastër, ndalohet gruaja nga Mashkullora, policia gjen mallra kontrabandë në lokalin e saj

23/12/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

VIDEO/ Muçi i tregon klasin Besiktasit, gol për “panoramë” në Turqi

7 gola në 5 ndeshje, Muçi pranë rekordit unik me Trabzonspor

24/12/2025
VIDEO/ Muçi i tregon klasin Besiktasit, gol për “panoramë” në Turqi

7 gola në 5 ndeshje, Muçi pranë rekordit unik me Trabzonspor

24/12/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al