Ish-deputeti i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, ka bërë një reagim të gjatë në faqen e tij në Facebook, ku shpreh shqetësimin pse Rama ka nxjerr ushtrinë në rrugë në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Duket i habitshëm ky reagim i Tavos në një kohë kur po në këtë mënyrë kanë vepruar edhe shtete të tjera. Nga ana tjetër, edhe pse vendi është në një situatë lufte, Tavo ka shqetësim më të madh jo fitimin e kësaj lufte me armikun e padukshëm Covid-19, por ligjshmërinë e veprimeve të qeverisë në këtë situatë të tillë. Ai shkon edhe më tej duke kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërkohë që në fakt vendi është në një gjendje të jashtëzakonshme e vendosur pas tërmetit të 26 nëntorit, gjendje e cila me ligj vepron deri më 31 mars 2020. Ja cfarë shkruan Tavo.
Unë mbështes të gjitha masat e marra për të kufizuar të drejtat e qytetarëve. I apeloj të gjithë njerëzve t’i respektojnë këto masa, të qëndrojnë në shtëpi e të mbrojnë jetën e tyre, të afërmve, dhe të komunitetit. Por, ndërkohë, i apeloj qeverisë të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të sigurojë që të gjitha masat e vendosura të bazohen mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Përse duhet që forcat ushtarake të dalin të armatosur në rrugët e qyteteve tona? A vritet e luftohet me armë COVID-19? A vritet me mitralozë ky armik i padukshëm? Dhe cili ligj e lejon këtë?Paligjshmëria është një rrezik për një shoqëri. Në raste ekstreme qeveritë demokratike marrin masa ekstreme por të mbështetura në ligj, ndërkohë që qeveritë e tjera të papërgjegjshme reagojnë ekstremisht pa asnjë mbështetje ligjore. Sot, ne duhet të jemi të gjithë bashkë për ta luftuar këtë pandemi e për ta cliruar vendin nga ky armik i padukshëm por që shuan me shpejtësi jetën e njerëzve. Por do jemi edhe më të bashkuar nëse të gjitha masat do bazohen mbi ligjin dhe Kushtetutën e vendit, pasi asgjë e mirë dhe konstruktive nuk vjen nga paligjshmëria pavarësisht qëllimit.
Thënia e Makiavelit, “qëllimi justifikon mjetin” ka frymëzuar vetëm diktatorët dhe jo shtetet demokratike. Ndaj duhet menjëherë shpallje e emergjencës kombëtare, të përcaktohen masat të bazura mbi ligje dhe mbi nenet 173,174,175 të Kushtetutës, të ketë transparecë me qytetarët për zbatimin e planit financiar, dhe një bashkëpunim i gjithëanshëm i të gjithë aktorëve në vend.
Ne nuk duhet të harrojmë që nuk jemi vetëm. Vendi ynë ka shumë miq dhe aleatë të fortë, sic është SHBA, e cila pak ditë më parë u zotua se do shpenzojë 100 milionë dollarë për të ndihmuar vende në nevojë si Shqipëria. Le të marrim shembull nga ky vend mik, nga vendi më demokratik në botë, e cila edhe pse po ndërmerr masa të rrepta në vendin e saj, i ka bazuar të gjitha ato mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndaj edhe Presidenti Trump shpalli zyrtarisht gjendjen e emergjencës kombëtare.
I apeloj qeverisë shqiptare të ndjekë këtë shembull dhe të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës.
Në krizat më të mëdha ligjshmëria duhet të jetë edhe më e fortë dhe sundimi i ligjit duhet të jetë udhërrëfyes për ne të gjithë.