Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka marrë sot vendimin përfundimtar për Besnik Muçin, i emëruar nga Presidenti Ilir Meta si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. KPA vendosi sot që Besnik Muçi që të shkarkohet nga detyra pasi nuk justifikon dot pasurinë e tij.
Në seancën e fundit para vendimit, Komisioneri Publik i ka qëndruar kërkesës së tij për shkarkimin e Muçit me argumentin se ka deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në lidhje me pasurinë, ndërsa sot fjalën e ka trupa e Kolegjit. “Provat e reja nuk sjellin ndonjë rezultat ndryshe nga ai i pari.“, deklaroi në seancë KP.
Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit nga KPK, u ankimua nga Komisioneri Publik pasi personi të cilit Muçi i kishte blerë shtëpinë ishte i dënuar për moskallëzim krimi. Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore, i cili është Armand Lilo.
Muçi u propozua për Kushtetuesen nga vetë presidenti Ilir Meta, për t’u emëruar disa ditë më pas edhe pse gjyqtari ende nuk i ka mbyllur llogaritë me Vettingun. Në dekretin e emërimit të tij, Meta bënte me dije se Muçi plotësonte të gjitha kriteret për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe shtonte se emri i tij kishte ardhur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.