Vllaznia është rikthyer si pretendente kryesore për titullin kampion. Kuqeblutë kryesojnë renditjen e Superiores me po aq pikë sa Egnatia, ndërsa numërojnë katër fitore radhazi në kampionat. Akoma nuk është afruar asnjë lojtar në merkaton e janarit, ndërsa edhe merkato është shfaqur e bllokuar nga FIFA.
“Panorama Sport” mëson ndërkohë se nesër pritet të prezantohet Kevin Dodaj. Kjo është dhe goditja e bujshme e merkatos së janarit, pasi bëhet fjalë për një sulmues që e njeh ambientin kuqeblu ku është rritur.
Bëhet fjalë për një huazim deri në fundin e sezonit nga CSKA Sofia. Klubi bullgar ka të drejtën e kartonit, që bleu në verë nga Vllaznia.
Shkodranët ishin opsioni i vetëm ku lejohej huazimi sipas rregullave të FIFA-s. Kështu përfitoi Vllaznia, pasi CSKA nuk e kishte në llogari për pjesën e mbetur të sezonit.









