Pas skandalit në Vlorë, ku banorët ndejtën gati 5 ditë pa ujë,më në fund duket se çështjes po i jepet drejtim. Defekti në tubacionin kryesor 1000 mm, që solli ndërprerjen e furnizimit me ujë të mijëra familje, biznese dhe institucione publike të qytetit të Vlorës, duke krijuar një situatë kaotike për një qytet me qendra urbane si Vlora, ka sjellë veprimet e para procedurale lidhur me këtë ngjarje.
Mësohet se policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi problemi, për të dokumentuar me saktësi momentin, rrethanat dhe çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet priten t’i referohen Prokurorisë së Vlorës. Po ashtu Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se çështja pritet të regjistrohet zyrtarisht për hetim, ndërsa fokusi do të jetë jo vetëm te shkaku teknik i defektit, por edhe tek menaxhimi i rrjeti të ujësjellësit dhe përgjegjësitë e tij institucionale.
Mësohet se, hetimi synon të përcaktojë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë. Ndërkohë, ndërprerja e furnizimit me ujë prej pesë ditësh solli nxiti protesta të forta nga qytetarët.









