Qyteti i Vlorës po preferohet shumë nga turistët edhe në pranverë. Sipas operatorëve turistikë, vihet re një rritje e kërkesës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ditët me diell dhe rritja e temperaturave kanë shtuar lëvizjet në qytetin e Vlorës. Ndonëse nisja e sezonit turistik zyrtarisht është larg, shumë qytetarë zgjedhin të qëndrojnë në qytetin bregdetar. Që në këtë periudhë janë mbyllur prenotimet për muajt në vijim, ndërsa sipas operatorëve turistikë vihet re një rritje e kërkesës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Interesi është në rritje që në muajin prill.
Pritshmëritë janë që numri i rezervimeve të shtohet. Sipas tur-operatorëve, është ende herët për të patur shifra të sakta për fluksin e vizitorëve gjatë sezonit turistik, kjo për shkak se mund të ketë një rritje të numrit të atyre që vijnë të organizuar në grupe.
Më shumë se sa te shifrat, tur-operatorët në Vlorë janë të fokusuar te turizmi i qëndrueshëm. Efekt pozitiv në këtë drejtim jep zgjatja e sezonit turistik. Kërkohet bashkëpunimi edhe me autoritetet që të punojnë më shumë që turistët të qëndrojnë më gjatë në qytet.
Edhe agjencitë turistike janë të përqendruara në këtë drejtim. U prezantojnë turistëve jo vetëm qytetin, por edhe zonat përreth. Pjesë e paketave nuk është vetëm bregdeti, por edhe atraksionet e tjera natyrore dhe historike.
Ndikim në rritjen e interesit për bregdetin shqiptar mund të japë edhe situata e luftës në Lindjen e Mesme. Tur-operatorët presin që turistët ta kenë vëmendjen në Mesdhe. Por kjo situatë ka edhe ndikim negativ në sektorin e turizmit. Bllokimi dhe vonesat në fluturime po bëjnë të vështirë edhe ardhjen e atyre që duan të punësohen në Vlorë. Kjo është periudha kur njësitë akomoduese po plotësojnë stafin dhe mungesat plotësohen me punëtorë të huaj.
Për një sezon turistik të suksesshëm, përfaqësuesit e hotelerisë në Vlorë kërkojnë që autoritetet të vijojnë me investimet, dhe jetike janë ato në infrastrukturë. Po ashtu, edhe një kalendar i pasur me aktivitete e bën qytetin më tërheqës.









