Vora ka vendosur objektivin e saj kryesor për këtë sezon, të sigurojë qëndrimin në Superiore pa u futur në llogari rreziku. Klubi nuk synon thjesht mbijetesën, por një ecuri të qetë, pa luhatje, ndërsa po përgatitet për rifillimin e pjesës së dytë të kampionatit.
Përgatitjet kanë nisur që në ditët e para të Vitit të Ri, ndërkohë që drejtuesit kanë identifikuar dy repartet ku skuadra kishte nevojë për ndërhyrje, mesfushën dhe sulmin. Këto boshllëqe u krijuan pas dëmtimeve të Bernard Karricës dhe Françesko Hasajt, të cilët pas ndërhyrjeve kirurgjikale do të mungojnë për rreth tre muaj.
AFRIMET- Për të mos ndikuar mungesat në ecurinë e ekipit, Vora ka ndërmarrë hapa konkretë në merkato. Klubi ka arritur akordin me mesfushorin 20-vjeçar Orgito Ruçi, i lindur në Greqi dhe me pasaportë të dyfishtë shqiptaro dhe greke. Ruçi është formuar në akademinë e Olimpiakosit dhe ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të Gjenoas dhe Venecias në Itali, si dhe së fundmi ka luajtur me Panionios në Greqi.
Paralelisht, vorakët kanë gjetur marrëveshjen edhe me sulmuesin e majtë, 23-vjeçarin Renaldo Torraj, i lindur në Londër. Torraj ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare U-21 dhe është formuar në akademinë e Burnley. Ai u aktivizua sezonin e kaluar me Teutën dhe pritet të vijojë karrierën në Superiore me fanellën blu të Vorës.
Me finalizimin e kesaj marrëveshje, Vora do të konsiderojë të mbuluara pozicionet problematike, duke hyrë në fazën e dytë të kampionatit me një skuadër të balancuar dhe me fokus të qartë te objektivi i mbijetesës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








