Ngjarja e rëndë në Athinë ku Alba Cenko është gjetur e pajetë në papafingon e shtëpisë, pasi është vrarë me çekiç nga bashkëshorti i saj 39-vjeçar, Kastriot Cenko, ka shokuar gjithë banorët e Shën Pjetrës në Fier.
Në këtë fshat fqinjët tregojnë se ka qenë familje e qetë dhe nuk kanë pasur probleme.
“Ne përsa i njohim, i njohim shumë të rregullt si njerëz. Të komunikueshëm, fol e qesh si të rinj që ishin”, thotë një fqinj
“Mirë kanë qenë, nuk kanë pasur konflikte. Nuk e dimë, u habitëm. Na vjen keq shumë”, shprehet një tjetër.
Ndërkohë një prej fqinjëve, nusja e djalit të së cilës është motra e gruas që u vra, tregon mes lotësh se prej ditësh nusja e saj nuk po mund të lidhej me të motrën.
Në emër të Albës, i kthente përgjigje Kastrioti që hiqej sikur ishte djali, ndërsa vetë autori në rastet kur u përgjigjej telefonatave, thoshte se ajo është larguar nga banesa:
“Ka katër ditë, ka ikur dhe nuk bëhet e gjallë. Po mir thashë unë mesazhe shkruan, gjoja se i kishte shkruar çunit ajo vetë që mami po iki, por ju rini babait pranë se un do vij dhe ju marr së shpejti. Gjoja se i shkruante ajo.
Nusja e pa dhe i tha, jo nuk është shkrimi i motrës time ky. Diçka fshihet pas telefonit tha se telefonin e kishte ai. Pastaj i shkruante më merr motrën, mos e hap kamerën vetëm fol me zë të të dëgjoj zërin. Nuk kam kohë i thoshte gjoja, jam në punë.”
Çifti kishte dy fëmijë, 9 dhe 12 vjeç të cilët ndodheshin në banesë teksa ndodhi krimi, por po flinin. Ndërkohë në familjen e së ndjerës në Çermë-Proshkë të Lushnjes, familja ka hapur dyert e mortit.