Gjykata e Vlorës dënon sot me 18 vite burg ish-punonjësin e policisë Arjan Tasen që përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë. Ndaj tij Gjykata ka dhënë 18 vjet burg, por ai përfiton ulje me 1/3 e dënimit përkthyer kjo në 12 vite burg. Tase u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte. Skafi i tij në atë kohë doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën një të miture e cila kishte ardhur nga Anglia të bënte pushime në jug të vendit.
7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit fillimisht nga pjesa ballore e mjetit ujor dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ish-shef i Policisë në Himarë, në kohën kur ndodhi ngjarja mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano, në kohë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e përjashtoi përfundimisht nga policia. Lidhur me ngjarjen është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.









