Një shqiptar është vrarë në Spanjë, ndërsa trupi i tij është braktisur në derën e spitalit. Sipas raportimeve ngjarja ka ndodhur në La Selva të Gironas, ku një automjet tip “Audi” braktisi në derën e spitalit “Blanes” një person të vdekur.
Viktima ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës. Sipas policisë, mjeti që e braktisi viktimën ishte “Audi” ngjyrë e zezë me targa të huaja dhe brenda tij mendohet se kanë qenë 3 persona. Viktima nuk kishte mjet identifikimi me vete dhe autopsia e tij pritet të zhvillohet ditën e sotme.
Disa orë pas ngjarjes, në stacionin e policisë Lloret de Mar Mossos d’Esquadra, është paraqitur një shtetas i cili deklaron se ka dijeni për krimin. Policia ende nuk ka deklaruar nëse personi është i përfshirë në vrasje apo ka qenë në automjetin që braktisi trupin e viktimës. Paraprakisht mendohet se shkak i ngjarjes janë përplasjet për trafikun e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në Spanjë. Bëhet fjalë për një skenar të përsëritur në territorin spanjoll, pasi nuk është hera e parë që një shqiptar vritet dhe braktiset në derën e spitalit.