Nga Ferdinand Dervishi*
Natën e 25 shtatorit të vitit 1982, një skaf i vogël, i nisur nga brigjet e Italisë, zbriti në bregdetin e Divjakës një grup njerëzish të armatosur, që në pamje të parë drejtohej nga Xhevdet Mustafa një i arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi, sipas burimeve të kohës, ishte eleminimi fizik i diktatorit komunist, Enver Hoxha.
Ngjarja e pazakontë mobilizoi një shtet të tërë për asgjësimin e asaj që u konsiderua një “bandë terroriste”. Forca të shumta policore, ushtarake, e vullnetare rrethuan zonën, fotografia e Xhevdet Mustafës, u shpërnda pa kursim nga oficerët e Shërbimit Sekret të quajtur Sigurimi i Shtetit.
Një ditë më pas, rreth 20 kilometër më tej, në stacionin e trenit të Rrogozhinës, tre anëtarët e grupit të armatosur bien në përpjekje me policinë dhe pak kohë më pas neutralizohen.
Nga kjo kohë kanë kaluar vite e dekada, janë emetuar në media versione të ngjarjes, janë intervistuar dëshmitarë dhe paraqitur dokumente. Por, qëllimi i vërtetë të kësaj ndërmarrjeje vetëvrasëse, në asnjë rast nuk është zbardhur në formë përfundimtare.
Gjatë kohës së komunizmit, publikut ju servir versioni që thoshte se ata kishin ardhur të kryenin akte terroriste dhe se qëllimi final ishte eleminimi i udhëheqësit Enver Hoxha.
Po kështu, gjatë komunizmit, u tha se banda ishte investim i amerikanëve dhe jugosllavëve e të tjera të ngjashme.
Madje, pak kohë më pas, i arrestuari i vetëm i grupit, Halit Bajrami, do të përdorej për të rënduar në gjyq situatën e ish-ministrit të Mbrojtjes Hadri Hazbiu.
Por çfarë thonë dokumentet e kohës për këtë ngjarje?
Cila është e vërteta e ardhjes së kësaj bande, për llogari të kujt u nis në Shqipëri dhe cilat ishin detyrat? Thënë të vërtetën, organizimi i këtij grupimi, për të depërtuar në territorin shqiptar, është ndjekur qysh në fillesat e tij nga policia politike e Enver Hoxhës, e njohur si Sigurimi i Shtetit.
Madje dokumentet e para të Sigurimit të Shtetit, që vërtetojnë se grupi i Xhevdet Mustafës po ndiqej me kujdes, sipas këtij informacioni të Drejtorisë së Parë, janë të 7-8 muajve para ngjarjes, nisur nga prilli 1982. Lënda e materialit janë masat që duhen marrë për zbulimin, prevenimin dhe goditjen e veprimtarisë terroriste të disa të arratisurve.
“Nga të dhënat e Drejtorisë së 3 rezulton se i arratisuri Xhevdet Mustafa nga rrethi i Durrësit, që njihet si pjesëmarrës aktiv i organizatës reaksionare të Legalitetit të kryesuar nga Leka Zogu, ka ardhur nga Amerika në Romë dhe në bashkëpunim me të arratisurit Sabaudin Haznedari e Mentor Çoku – krerë të emigracionit reaksionar jashtë shtetit dhe që u shërbejnë si zbulimit italian dhe atij jugosllav – po interesohen të blejnë armë e pajisje të tjera për të kryer akte terroriste e diversioniste kundër vendit tonë”.
Ndërsa sipas këtij punimi të Mëno Dedajt – një zyrtari të lartë të Sigurimit të Shtetit, i arratisuri Xhevdet Mustafa fillimisht nuk është marrë me veprimtari kundër regjimit komunist të Tiranës.
Duhet veçuar fakti se informacionet e Mëno Dedajt për Xhevdet Mustafën, konsiderohen të besueshme nga njohës të historisë së Sigurimit të Shtetit. Kjo sepse, në të njëjtën periudhë kohore, Mëno Dedaj ka qenë i dërguar i Sigurimit të Shtetit në Nju Jork, i atashuar pranë misionit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Gjatë periudhës që jetonte në Amerikë, Xhevdeti njihej nga ana jonë – Sigurimi i Shtetit. Në Informacione të disponuara shënjohej si kontrabandist e përdorues droge; survejohej nga FBI-ja. Ai ishte arratisur nga atdheu në vitin 1964. Formoi andej familje, banonte në Nju Jork. E reklamonte veten admirues të Leka Zogut. Bashkëpunonte me disa shqiptarë të ardhur nga trojet tona etnike në Jugosllavi. Nuk spikaste për propagandë kundër vendit tonë; në organizimet politike nuk qasej. Në Shqipëri kishte pjesën tjetër të familjes dhe të afërm”.
Sipas Mëno Dedajt, Xhevdet Mustafa ndryshon mentalitet dhe hidhet në veprimtari antikomuniste, pasi arrestohet nga policia amerikane për posedim apo trafik droge dhe pas dyshimeve se kishte rënë në vorbullën e spiunazhit jugosllav.
“Ngaqë u zhyt në ujëra të ndyra ku as dinte, as mundej të notonte, me kohë qëllimi i Xhevdetit u ngjyros me politikë antishqiptare. Ramë në gjurmë të kontakteve të tij të vazhdueshme me punonjës të misionit jugosllav pranë OKB-së.
U sigurua informata e besueshme për shoqërinë e këndshme që i falte një emisare e UDB-së e ardhur nga Jugosllavia, kohët e fundit dukej me të në Nju Jork, shëtisnin dhe nëpër qytete të ndryshme amerikane. Njësia e organit informative në Nju Jork sipas një plani të posaçëm e të detajuar ngjeshi skemën e kontrollimit me përparësi mbi kësi lloj lidhjesh”.
Në këtë periudhë kohore, për habi, Sigurimi i Shtetit arrin të grumbullojë një numër faktesh të rëndësishme lidhur me veprimtarinë e Xhevdet Mustafës. Mësohet se ai ka nisur të ushtrohet me pistoletë në një poligon privat, por më interesante janë të dhënat për pajisjen me një pasaportë amerikane false.
“Duke gjurmuar pa ndërprerje Xhevdet Mustafën, dikush zbuloi dhe na dërgoi haber se ky individ u pajis me pasaportë amerikane me emër të rremë Basri Lula, i panjohur për ne. Ju kushtua vëmendje e duhur një dëshmie si kjo.
Me anën e njohjeve tona… dhe nëpërmjet një përpunimi intensiv, i ramë në të se kush e ku, në ç’zyrë kundrejt 5200 dollarëve ia përgatitën pasaportën e falsifikuar”. Po sipas librit të Mëno Dedajt, fakti i pajisjes së Xhevdet Mustafës më pasaportë false, kishte vënë në lëvizje Sigurimin e Shtetit.
Më tepër njerëz ishin vënë në gjurmë të tij dhe ishte vërtetuar një udhëtim në Zelandën e Re ku Xhevdeti ishte takuar me një shqiptar të arratisur për shkak të regjimit komunist. Më tej, me alarm të shtuar, ishte monitoruar edhe udhëtimi i tij në Belgjikë. në shoqërinë e së njëjtës femër, të dyshuar si agjente e UDB-së.
Mbërritja e Xhevdet Mustafës në Europë shkakton alarm te njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Dedaj shkruan se në këtë pikë, Sigurimi i Shtetit ndryshoi mënyrën e veprimit. Sipas tij, për të ndjekur nga pas veprimet e Xhevdet Mustafës “u zgjodhën dhe caktuan disa nga kuadrot më të zotë e më të përgatitur”.
Pas Belgjikës, Sigurimi i Shtetit, mëson lëvizjen e Xhevdet Mustafës drejt Italisë.
“Gjatë lëvizjes së Xhevdetit në Europë, u konstatua që sapo u shkëput prej shoqërueses udëbëiste, fluturoi drejt Italisë. Atje, në Romë, pikërisht, komunikoi me Sabaudin Haznedarin. Ja njihnim aktivitetin armiqësor, bashkëpunimin intensiv me UDB-në për trajtimin e bandës së Avdyl Banushit në mesin e viteve ’70, ndonëse, pas goditjes së Avdylit, nuk guxoi më të shfaqte shenja agresiviteti kundër vendit tonë. Megjithatë prej kohësh na tërhiqnin vëmendjen sidomos lidhjet e dyshimta që ky njeri mbante në Romë me njërin nga sekretarët e Ambasadës Jugosllave – Peter Palviç”.
Sabaudin Haznedari ishte një shqiptar i arratisur për shkak të komunizmit, i cili jetonte në Itali. Madje, sipas Dedajt, kreu i grupit të emërtuar si i Xhevdet Mustafës, që zbarkoi në brigjet shqiptare në shtator 1982, ishte Sabaudini dhe jo Xhevdeti.
Sabaudin Haznedari ishte i njohur dhe skeduar nga Sigurimi i Shtetit, sidomos pas aktit terrorist të datës 20 maj 1974, kur ai, së bashku me Avdyl Banushin, i vendosën lëndë eksplozive me veprim të vonuar ndërtesës së Ambasadës së Shqipërisë në Romë.
Në Itali grupit i bashkohen edhe dy shqiptarë të tjerë të arratisur, të cilët jetonin në Zelandën e Re. Njëri prej tyre, pikërisht Halit Bajrami, ishte lidhje e Sigurimit të Shtetit. Që të justifikonin përgatitjet apo operacionin që po organizonin, përballë dëshmitarëve të rastësishëm apo qoftë autoriteteve italiane, Xhevdet Mustafa e Sabaudin Haznedari hapin fjalë se e gjitha kishte lidhje me një thesar floriri.
“Duke ndjekur grumbullimet e lëvizjet e tyre në Itali, marrim vesh se ata po përpiqen të pajisen me armatim si dhe po orvaten të gjejnë një skaf me skafistë… Në Itali morëm përsëri të dhënën se grupi do të vinte në Shqipëri “për të marrë një sasi floriri të fshehur diku midis Tiranë dhe Durrësit. Por nga Nju Jorku informacioni vinte jo kaq i verdhë e kaq delikat: Do vinte në Shqipëri me një detyrë speciale për të takuar një person të rëndësishëm dhe do të strehohej në një bazë në Bllok, ose afërsi të tij”.
I frikësuar nga këto informacione, Sigurimi i Shtetit nxiton të futet në lidhje me Mafian italiane, me të cilën prej gati 10 vitesh bashkëpunonte në kontrabandën e cigareve MARLBORO të prodhimit amerikan. Sigurimi i Shtetit ishte i bindur Xhevdet Mustafa e të tjerët, do të përpiqeshin të shfrytëzonin së pari këtë linjë komunikimi.
Pra pritej që ata të paguanin një nga mjetet e zakonshme të kontrabandës së Marlboros, ose së paku të joshnin një nga skafistët italianë të specializuar me udhëtimet në drejtim të brigjeve shqiptare.
“U shfaq një detyrë tjetër; të mbaheshin në vëzhgim të pandërprerë skafistët e kontrabandës së duhanit. U kërkuam kapove të tyre që me lëvizjet në det, për asnjë arsye të mos dilnin jashtë kuadratit të përcaktuar. U lejohej futja në radë në një korridor të caktuar me kusht të qëndrohej vetëm pranë anijeve bazë. Nga organi i Zbulimit duke bashkërenduar veprimet me drejtuesit e kompanisë ALBTRANS u takuan personat përgjegjës dhe bashkërisht me ta u vendos; për të gjithë skafistët që do të vinin në këtë periudhë, të na dorëzohej më parë lista me emrat e tyre”.
Në të njëjtën periudhë, të gjithë drejtuesit e Flotës Ushtarake-Detare të kohës, si dhe të gjithë krerët e policisë së qyteteve bregdetare, u lajmëruan për një zbarkim të mundshëm që në atë kohë quhej “diversionist”.
Fotografia e Xhevdet Mustafës u shumëfishua dhe ju shpërnda personave më të besuar. Njëkohësisht roja bregdetare, që në këtë kohë kryhej nga flota ushtarake, përmes katerave silurues, u njoftua për mundësinë e një zbarkimi divesionist dhe u instriktua të mos ishte tolerante. Situata e acaruar, do të shkaktonte viktimën e parë, pikërisht nga ky kontigjent – mes skafistëve italianë të kontrabandës së Marlboros.
Më 25 korrik 1982, një kater silurues i bazës së Vlorës, hapi zjarr mbi një skaf të kontrabandës së cigareve që nuk ju bind shenjave për të ndaluar. Ngjarja ndodhi në afërsi të gjirit të Gramës, në Karaburun. Drejtuesi i skafit, i quajtur Gilberto Moreti, humbi jetën. Ushtarakët shqiptarë, protagonistë të kësaj ngjarjeje, e kanë pohuar se gjithçka ndodhi për shkak të gatishmërisë dhe urdhrave striktë të dhënë për shkak të frikës së zbarkimit të Xhevdet Mustafës.
Ndërkohë Sigurimi i Shtetit arrin ta kontaktojë Halit Bajramin gjatë kohës që grupi gjendej në Romë. Atij ju morën informacione për qëllimet e grupit dhe u instruktua se si duhet të vepronte në vazhdim. Sipas një tjetër dokumenti të prillit 1982, për planet e Xhevdet Mustafës, Sigurimi i Shtetit kishte mbledhur të dhëna edhe nga të tjera burime.
“Nga të dhënat rezulton gjithashtu se në një firmë italiane që merret me tregtinë e anijeve është bërë porosia për ndërtimin e një anijeje të vogël, por shumë të shpejtë, e cila është e destinuar për tu nisur në Shqipëri. Ka shumë mundësi që kjo anije e porositur të jetë e lidhur me misionin që kërkon të kryejë i arratisuri Xhevdet Mustafa me grupin e tij terroristo-diversionit. Kjo argumentohet edhe me shprehjet e bëra nga vetë Xhevdeti ditët e para të prillit se: ”Do të shikoni se kush do të jem unë pas 2-3 muajsh!”
Nisjen për në Shqipëri do ta bëjë nga Bari.
Më 22 korrik 1982, Ministria e Brendshme, saktësisht Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, lëshon një udhëzim sekret për të gjitha degët e Punëve të Brendshme, duke paralajmëruar rrezikun e zbarkimit të Xhevdet Mustafës.
“Sipas të dhënave të zbulimit i arratisuri Xhevdet Mustafa nga Durrësi, element me aktivitet armiqësor aktual, përgatitet që së bashku me një grup të hyjnë ilegalisht në vendin tonë. Aktualisht qarkullon nëpër Europë me pasaportë false me emrin Basri Lula. Pas numrit të pasaportës ka një gërmë A.
…I përmenduri kërkon me çdo kusht të hyjë diversant në vendin tonë, prandaj është e nevojshme që mbi këtë bazë të forcohen masat e kontrollit në të gjitha Postat e kalimit Kufitar dhe sidomos gjallërimin e kërkimit. Kujdes ti kushtohet edhe kontrollit ndaj grupeve turistike…”
Por edhe pse Sigurimi i Shtetit kishte përdorur të gjitha mundësitë që të pengonte zbarkimin në Shqipëri të Xhevdet Mustafës dhe grupit të tij, edhe pse ishin bërë marrëveshje me mafian italiane, me të cilën shteti shqiptar organizonte prej vitesh kontrabandën e cigareve MARLBORO të prodhimit amerikan, udhëtimi u realizua.
Sipas Mëno Dedajt, atë e mundësoi UDB-ja apo shërbimi sekret jugosllav. Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit ka shpjeguar edhe enigmën se përse ata zbarkuan në Divjakë dhe jo në Golem të Durrësit, siç kishin planifikuar.
“Devijimi 60 kilometra më në jug të Durrësit erdhi sa për arsye të mosnjohjes mirë të terrenit nga skafistët, aq edhe për t’ju shmangur rënies në kurth; ndoshta edhe dyshuan te anijet tona të patrullimit në ujërat pranë kufirit shtetëror. Grupi terrorist e quante se bregdeti ku zbarkuan nuk kontrollohej. Gjykoi gabim!”
Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari dhe Halit Bajrami zbarkuan natën e 25 shtatorit 1982 në bregdetin e Divjakës. Duke kujtuar se e kishte kryer detyrën e vet, skafisti italian u largua pa humbur kohë. Porse, kur zbardhi dita, pjesëtarët e grupit e kuptuan se gjendeshin në një ishull rëre dhe se, për të shkuar deri në breg, u duhej me patjetër një tjetër mjet lundrues.
Diku para drekës, ata bien në kontakt me dy oficerë të policisë kufitare, Ëngjëll Agalliun dhe Sazan Zekën, të cilët po peshkonin në afërsi. Xhevdet Mustafa i vret pa asnjë paralajmërim.
“E pavëmendshme, patrulla as që kërkoi së paku identifikimin e tyre, mbasi i konsideroi peshkatarë. Edhe Xhevdet Mustafa, duke u paraqitur si peshkatar, i thirri patrullës dhe i “lypi ndihmë”, se gjasme ngecën të izoluar nga zbatica. Sapo u afrua motoskafi, sa nga frika e kapjes së bandës, aq edhe nën efektin e drogës, Xhevdeti vrau dy nga punonjësit e policisë”.
Pak kohë më pas, Xhevdeti dhe dy të tjerët, shohin që drejt tyre po afrohej një varkë me motorr. Sipër shquhej një tjetër oficer policie si dhe një civil. Sërish Xhevdet Mustafa qëllon pa asnjë mëdyshje mbi njeriun e veshur me uniformë ushtarake, ndërsa kursen njeriun e veshur me rroba civile, pa e mësuar kurrë se edhe ai ishte një punonjës policie.
Polici që edhe sot është shëndoshë e mirë dhe që quhet Sokrat Biti, atë ditë, fatmirësisht e kishte lënë uniformën në postë. Ja si e ka rrëfyer ai këtë pjesë të historisë përpara hetuesit Dilaver Bengasi.
“Në thellësi pamë dy vetë para dhe një rreth 100 metër mbas tyre, që po vinin drejt nesh dhe dy të parët na i bënë me dorë. Neve zbritëm dhe kur ju afruam njëri-tjetrit, njëri prej tyre na tha të dorëzoheshim dhe nxorri automatikun para. Remziu futi dorën në brez për të nxjerrë pistoletën, por ai më i riu papritur shtiu me breshëri automatiku pa zë dhe Remziu ra i vdekur përtokë. Unë menjëherë u ula në gjunjë duke venë duart në kokë dhe thashë: Aman mos më vrisni se unë fshatar, punëtor jam!” Dhe ai i riu më tha: Hip në varkë dhe na nxirr nga ky vend në drejtim të atij hoteli. Në fakt ishte kampi i punëtorëve.”
Grupi i armatosur i drejtuar nga Xhevdet Mustafa e përdor civilin, të cilit i kurseu jetën, për të mos gabuar udhëtimin drejt Tiranës. Madje ata i ngarkojnë atij mbi shpatulla edhe një çantë të rëndë me armë e sende të tjera. Në pyllin e Divjakës, Xhevdet Mustafa vret edhe një punëtor të pyjores, që quhej Vlash Përboti dhe që kaloi pranë tyre me biçikletë.
”Atje ai më i riu, që na kanoste gjithmonë për vrasje, mbasi i tha NDALO një djali me biçikletë, që kaloi aty pranë dhe ai nuk ndaloi, ai e kapi për biçiklete dhe unë dëgjova tre të shtëna të pistoletës dhe ai e vrau. Kjo ndodhi në ora 18:00 të datës 25 shtator 1982 dhe në datën 26 shtator kur shkova me shokët e policisë për t’jua treguar rrugën e kalimit, unë e gjeta të vrarin që ishte Vlash Përboti”.
Mes datave 25 dhe 26 shtator 1982 grupi udhëton për gjithë natën në këmbë paralel me rrugën automobilistike që lidh Divjakën me Rrogozhinën. Për habi, edhe pse pas kishin lënë 4 të vrarë, tre oficerë policie dhe një civil, askush nuk i pengon.
Sa duket kufomat ende nuk ishin gjetur për shkakun se gjendeshin larg zonave të frekuentuara nga njerëz të rastësishëm.
“…Më thanë ti çoja në drejtim të Rrogozhinës sepse më thanë që do të shkonin në Tiranë. Gjatë rrugës më thoshte ai më i riu: Kalo përpara se kemi ardhur për të shpëtuar popullin që po e bëjnë të vuajë. Po ashtu, më pyeste ai më i riu: si është udhëheqësi kryesor, a është i sëmurë? Mehmet Shehun e vranë vetë këta të udhëheqjes dhe jo sikur thonë në gazetë – “vrau veten”.
Grupi kalon përmes qytezës së Rrogozhinës dhe mbërrin pa u pikasur në stacionin e trenit. Ata fshehin çantën me armë në një bunker ende të pamontuar dhe përzihen me udhëtarët. Më hollësisht këtë pjesë të historisë, Sokrat Biti, polici i marrë peng nga Xhevdet Mustafa, e ka rrëfyer në të vetmen dëshmi të tij, dhënë një gazete të përditshme.
“Diçka folën mes tyre dhe pashë dy të tjerët, Sabaudinin dhe Halit Bajramin të nisen me pamje të shpenguar drejt hyrjes së stacionit të trenit duke marrë me vete vetëm pistoletat, që i fshehën nën rroba. Ndërsa Xhevdeti nuk lëvizi nga vendi. Kuptohet që unë mbeta pranë tij, sepse ende i kishim duart të lidhura me tel.
Kaluan pak minuta, kur pamë Sabaudinin të dilte me vrik nga dera kryesore e stacionit dhe të drejtohej aty ku po rrinim ne.
Sabaudini dhe Haliti, kishin rënë në sy të një shitëseje byrekësh, pasi i kishin lënë 50 lekë bakshish. Menjëherë shitësja, kishte lajmëruar policin e stacionit, duke i shpjeguar se si dy të dyshimtë, që flisnin një shqipe të rëndë, i kishin lënë bakshish një shumë të madhe, se ata ishin të veshur me rroba të prodhimit të huaj, etj. Polici u ishte afruar të dyve, duke u kërkuar pasaportat, ndërkohë Haznedari, ishte larguar duke shpjeguar se duhet të shkonte jashtë lokalit, që t’i merrte letërnjoftimet, tek çanta”.
Ndërkohë plas pushka. Polici u kishte bërë me shenjë një grupi të armatosur forcash vullnetare, të cilët vënë në shënjestër Sabaudin Haznedarin e pozicionuar te bunkerët. Edhe pse përgjigjet me breshëri automatiku, Sabaudin Haznedarin e braktis shpejt fati. Një plumb e kap në kokë, pa i dhënë mundësinë që të merrte me vete, ndonjë të pafajshëm tjetër.
Ndërkohë Xhevdet Mustafa arratiset. Nën kërcënimin e pistoletës ai detyron shoferët e dy makinave të ndryshme ta çojnë në drejtim të Lushnjes. Dikur vendos të mbyllet në një shtëpi të fshatit Zhamë, rreth 4 kilometër në jug të Rrogozhinës. Muharrem Berberi, në atë kohë një nga të rinjtë e shkathët të fshatit Zhamë, bëhet dëshmitari më interesant i vijimit të historisë.
Duke e kuptuar se diçka e madhe ishte duke ndodhur, Muharremi kishte ndjekur me vrap nga pas mjetet e trupat e ushtrisë, që i drejtoheshin vreshtit të fshatit, në afërsi të të cilit gjendej banesa ku ishte ngujuar Xhevdet Mustafa.
“Deri në këtë kohë Xhevdet Mustafa kishte qëlluar dhe vrarë të zotin e shtëpisë, Mersin Sulën, që ishte duke zier rakinë në bahçe. Pak minuta më pas, Mustafa, me një plumb të vetëm kishte vrarë edhe një oficer ushtrie, Tomorr Zykajn, i cili i ishte afruar shtëpisë me një tricikël, përmes një rruge të vreshtit. Në brendësi gjendeshin vetëm Xhevdet Mustafa dhe pesë fëmijët e mitur të familjes, pasi e ëma e tyre ende nuk ishte kthyer nga puna në fermë.”
Me të mbërritur, Muharremi kërkon të bëjë protagonistin. I kërkon një armë një oficeri ushtrie duke i thënë se do të futej nën çatinë e shtëpisë me qëllim që të vriste diversantin. Për habi, oficeri ja plotëson dëshirën.
Muharremi arrin të heqë disa tjegulla dhe të futet në tavan.
“Ishte i frikshëm. Dukej sikur ishte dy metra i gjatë, i fuqishëm, veshur sipër me një bluzë të zezë të thjeshtë prej pambuku dhe i armatosur vetëm me një pistoletë me silenciator. Kishte zhvendosur një bufe në drejtim të derës duke e pozicionuar diagonalisht, pra pa e bllokuar krejtësisht atë… Qëndronte në mes të dhomës, i rrethuar nga pesë fëmijët, më i vogli prej të cilëve nuk kishte mbushur as dy vjeç. Ndërkohë nga jashtë kishin nisur tratativat për të mundësuar lirimin e fëmijëve. “Dikur Xhevdeti pranoi t’ia dorëzonte, vetëm nënës, dy nga fëmijët, më të voglin në moshë si dhe një nga vajzat, e cila ishte plagosur në këmbë. Nga një tjetër pozicion pashë nënën e fëmijëve, Sheje Sulën, të afrohej dhe më tej edhe dy fëmijët t’i bashkoheshin. Më pas, mësova se një polic i kishte dhënë gruas, para se të futej në banesë, një pistoletë të mbushur, por ajo kishte refuzuar.”
Sipas rrëfimit të Muharremit, dikur, mes zërave që negocionin për lirimin e fëmijëve, ishte dëgjuar edhe zëri i Ministrit Mbrojtjes, Kadri Hazbiu.
Xhevdeti e pyet se kush ishte dhe pasi merr përgjigjen, reagon me fjalët: Ku je o mace e zezë!
Ndërkohë Xhevdet Mustafa e zbulon njeriun që e vëzhgonte përmes një vrime në tavan.
“Pas lirimit të dy prej fëmijëve, dëgjova Xhevdetin të thoshte: Shikoni, ai që është në tavan nuk është shqiptar, por anglez. Kur ta shihni, më thoni. Dhe sa herë që unë vija syrin në vrimë, fëmijët i tregonin: jaaa ku është! Britma shoqërohej me një tjetër vrimë në tavan, të bërë nga pistoleta pa zhurmë e Mustafës. Por unë, sapo fëmijët më vinin re, largohesha në një tjetër kënd të tavanit. Xhevdeti më qëlloi vetëm tre herë, sa duket kursente municionet. Unë vetë nuk qëllova pasi kisha frikë se mos lëndoja fëmijët.”
Përkundër shumë versioneve, Muharrem Berberi, djaloshi nga Zhama që ndiqte lëvizjet e Xhevdet Mustafës në shtëpinë ku ishte ngujuar dhe bënte rezistencë, dëshmon me bindje të plotë se ai kreu vetëvrasje. Sipas tij, Xhevdeti zgjodhi këtë fund vetëm kur pa se nuk kishte asnjë mundësi për të ti shpëtuar rrethimit.
“Pas pak çastesh blinda goditi me trupin e vet dhe rrëzon cepin e banesës. Në të njëjtën kohë pashë vëllanë e të zotit të shtëpisë të shqyente më një bajonetë derën e hyrjes. Situata u rëndua. Zgjata vështrimin në vrimën e tavanit dhe pashë Xhevdetin të rrëzonte bufenë që kishte vendosur diagonalisht në anën e derës. Kur ajo ende nuk kishte lëshuar zhurmën e rrëzimit, ai drejtoi pistoletën drejt kokës dhe ja hoqi vetes”.
Faktin se Xhevdet Mustafa kishte vrarë veten u mbajt i fshehtë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Në këtë kohë regjimit i interesonte që populli të besonte se Xhevdet Mustafa ishte ekzekutuar nga ushtria apo policia, siç edhe u kujdesën ta bënin.
Gjithçka ishte në funksion të propagandës. Për popullin u manipulua madje edhe njoftimi që u lexua në televizionin e vetëm, atë shtetëror, ku thuhej se “terroristët nuk arritën të shihnin lindjen e diellit shqiptar, qoftë për një ditë të vetme”.
Për habi mjekësia ligjore nuk ka falsifikuar asgjë, edhe pse fakti që Xhevdet Mustafa ka vrarë veten është shkruar si të ishte detaj pa ndonjë rëndësi, diku nga mesi i akt-ekspertizës zyrtare që përfund mban emrin e ekspertit mjeko-ligjor, Fatos Harito.
“Në trupin e Bastri Lulës janë bërë gjashtë qitje, prej të cilave: A) plaga me vrimë hyrjeje në tëmthin e djathtë dhe vrimë daljeje në tëmthin e majtë është shkaktuar në distancë të afërt – brenda veprimit të faktorëve plotësues dhe me drejtim nga e djathta në të majtë:”
Por edhe fotografia e kufomës së Xhevdet Mustafës e dëshmon vetëvrasjen. Plaga në tëmthin e tij të djathtë ka të gjitha karakteristikat e një qitjeje me puqitje. Ndërkohë interesante paraqitet edhe akt-ekspertiza zyrtare për shkakun e vdekjes së Sabaudin Haznedarit. Mes të tjerave, ajo vërteton se ai ka humbur jetën nga një predhë e gjuajtur nga larg.
“Dëmtimet e sipërme janë shkaktuar nga tri qitje me armë zjarri…
…Distanca e qitjes, në bazë të kqyrjes së teshave dhe të mungesës së faktorëve plotësues të qitjes për rreth vrimave të hyrjes, ka qenë e largët”.
Pesë ditë më pas, më 30 shtator 1982, kufomat e Xhevdet Mustafës dhe Sabaudin Haznedarit janë varrosur në një vend të panjohur. Mes dokumenteve për ngjarjen, interesante paraqiten edhe procesverbalet e sendeve të kapura.
Kështu, mes të tjerave, në stacionin e trenit të Rrogozhinës, grupi i Xhevdet Mustafës kanë pasur me vete edhe 3 automatikë STEN MK3 të prodhimit britanik, të çmontuar, dy pistoleta BRAUNING 9 milimetërshe të prodhimit amerikan, një kamera të formatit të vogël, e të tjera.
Vite me pas, automatikët e vegjël britanikë të tipit STEN, që u kapën në këtë ngjarje, u çmontuan dhe kopjuan për të krijuar një armë hibride, që është quajtur rëndom kopje e automatikut të Xhevdet Mustafës.
Pas ngjarjes, drejtuesit e shtetit komunist shqiptar duket se kanë qenë tepër kuriozë për jehonën ndërkombëtare të saj. Pikërisht në këtë periudhë rezulton që ata të kenë përgjuar pothuaj të gjithë diplomatët e huaj të atashuar në Tiranë.
Mes të tjerave, interesant paraqitet zbardhja e një përgjimi të datës 30 shtator 1982, mes dy diplomatëve grekë, të cilët duket se kanë informacione të sakta për ngjarjen.
“Në përgjigje ambasadori grek tha: Këtu ka diçka të re, por me rëndësi është fakti se shqiptarët e prisnin këtë bandë, çka do të thotë se ata ishin të tradhtuar. Në qoftë se do të jetë e vërtetë, se në dërgimin e këtyre bandave ka dorë Italia në bashkëpunim me amerikanët, atëherë marrëdhëniet Itali-Shqipëri marrin një drejtim tjetër”.
Po sipas përgjimeve, italianët janë shfaqur gjakftohtë. Bindja krijohet nga përgjigjja që, ambasadori Françesko Xhentile, i ka dhënë një gazetari italian në datën 20 tetor 1982.
“Italia është një vend i lirë dhe kushdo mund të marrë një varkë e të shkojë ku të dojë, pa u kontrolluar nga organet tona”.
Në vijim, në një tjetër përgjim të datës 20 tetor 1982, Sigurimi i Shtetit ka quajtur të rëndësishme edhe bisedën e sekretarit të parë të ambasadës greke, Nikolla Krisogjellos:
“Kam lexuar një intervistë të Leka Zogut, ku thuhet se këta janë trimat e tij që kanë zbarkuar me iniciativë në bregdetin shqiptar, por ai vetë nuk ka qenë dakord. Banditët me këtë veprim treguan një provë ndaj Leka Zogut”.
Gati një vit më pas, në korrik 1983, Halit Bajrami, i infiltruari i Sigurimit të Shtetit në grupin e Xhevdet Mustafës, do të përdorej si dëshmitar i rremë në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu.
Edhe pse pa ndonjë peshë të madhe në vendimin e gjykatës, dëshmia e tij do të ishte lajmi i fundit i lidhur me ngjarjen e bujshme të shtatorit 1982.
Më tej, për shumë kohë dhe për shumëkënd, ngjarja do të mbeste pa kokë dhe pa kuptim, pasi versioni, “se erdhën në Shqipërinë e rrethuar me tela me gjemba për të eleminuar Enver Hoxhën”, ishte dhe mbeti i pabesueshëm.
Vetë Leka Zogu, i konsideruar si Mbreti i Shqiptarëve në mërgim, në intervistat për mediat e huaja, i ishte larguar autorësisë. Në një shkrim të United Press International, të publikuar në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në datën 29 shtator 1982, pra vetëm 3 ditë pas ngjarjes, ai ishte shfaqur i mërzitur, në thonjza, për puçin e dështuar të shtetit për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Sipas gazetarit Richard Roy, Leka i kishte thënë gazetës franceze “SOIR” se lideri komandove, i identifikuar nga autoritetet shqiptare, pas zbarkimit të penguar si Xhevdet Mustafa, ishte një nga mbështetësit e tij.
“Përgjegjës për një grup luftëtarësh që i përkisnin Ushtrisë sonë të Çlirimit Kombëtar”, tha Leka, “ai organizoi një operacion që neve na u duk tërësisht vetëvrasës, prandaj ne kërkuam ta shtynte, në mos ta anulonte fare”.
Pra, edhe vetë Mbreti Leka dhe njerëzit që e këshillonin, e dinin se çdo lloj misioni i ngjashëm, në drejtim të Shqipërisë së izoluar, do të ishte vetëvrasës dhe kjo e bën edhe më tepër enigmatike ngjarjen.
Po atëherë përse u ndërmor ky mision vetëvrasës? Gjithçka duket se ka lidhje me Xhevdet Mustafën dhe marrëdhëniet e tij me ligjin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa duket, i ndjekur nga pas nga drejtësia amerikane për trafik apo shpërndarje narkotikësh, ai kërkon të rregullojë biografinë përmes kryerjes së një akti të bujshëm patriotik. Më tej ka edhe detaje që nuk duhen nënvleftësuar që thonë se ai mund të jetë mbështetur e shtyrë në aventurën e tij nga shërbimi sekret Jugosllav – UDB.
Përpara zbarkimit në brigjet shqiptare, këtë thotë edhe dëshira e Xhevdet Mustafës për t’ju mburrur shqiptarëve që takonte nëpër Europë: “Do të më shikoni se kush do të jem unë pas 2-3 muajsh!”. Në fakt, edhe pse në një aventurë të palogjikshme, edhe pse vrasjet e njëpasnjëshme të policëve dhe civilëve, që kreu me dorën e tij, klasifikohen si terrorizëm, Xhevdet Mustafa së paku arriti të linte pas një emër të bujshëm.
Shkrimtari amerikan Thomas Mateo, në një libër me titullin “Staten Island”, ku sjell biografinë e disa prej njerëzve më të famshëm që kanë jetuar në këtë pjesë të Nju Jorkut, ka përfshirë edhe atë të shqiptarit kokëkrisur Xhevdet Mustafa. Biografia e Mustafës renditet mes biografive të Henry Longfellou, Donald Trump, Giuseppe Garibaldi, Maksim Gorki e të tjerë.
*Marrë nga emisioni HiStory, në Report TV