Në shtator të vitit 2016 një grup të rinjsh të PD-së në Gjirokastër protestuan kundër ligjit të shumëdebatuar që lejonte importin e plehrave, ligj i cili në fakt nuk u arrit të kalonte në Kuvend. Ata shënuan emrat e deputetëve të PS-së, përfshi edhe emrin e kryeministrit Edi Rama, në koshat e plehrave që gjenden rrugëve të qytetit.
Por ndonëse ka kaluar gati një vit nga kjo ngjarje, çuditërisht koshat vazhdojnë të jenë rrugëve të Gjirokastrës me mbishkrimet “Edi Rama”, “Erjon Braçe” apo të ndonjë deputeti tjetër. E habitshme sesi ndërmarrja komunale, që është në varësi të Bashkisë Gjirokastër, nuk e ka marrë mundimin të lyente këto kosha, për t’i kthyer në një formë më të pranueshme estetikisht.
Me siguri jo për neglizhencë, por si për t’i bërë karshillëk socialistëve apo vetë Kryeministrit, kryebashkiakja Zamira Rami nuk e ka parë të udhës të urdhërojë vartësit e saj të ndërhyjnë. Të thuash nuk është në dijeni të këtij problemi, kjo ka pak gjasa të besohet, pasi koshat me mbishkrimin e Ramës dhe deputetëve të tjerë të PS-së janë në pozicione krejt të dukshme.
I gjen në lagjen ’18 shtatori’, rrugës për në “Sheshin e Çerçizit”, prej nga ku kryebashkiakja kalon përditë për në zyrë e kudo tjetër. Sa për ilustrim, ne po sjellim foto të dy koshave që janë m’u pranë hyrjes së spitalit. Të tillë gjen plot në të gjitha rrugët e Gjirokastrës.
/ArgjiroLajm.net/