Opozita pritet të nisë nesër para Kryeministrisë një protestë pa afat për largimin e qeverisë Rama. Detajet e organizmit po mbahen diskret, por burime të rezervuara bëjnë me dije se protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ndërsa në asnjë moment nuk do të ketë fjalime nga politikanët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e lsi-së Monika Kryemadhi, drejtues dhe funksionarët e tjerë të opozitës do të jenë në shesh mes protestuesve, por vetëm në rolin e dëgjuesve.
Ndryshe nga protestat e tjera të opozitës, protagonizmin kryesor do ta kenë qytetarët të cilët janë parashikuar që vetëm ata të flasin në një podium modest para Kryeministrisë.
Mënyra se si do të zhvillohet protesta, mbahet diskret ndërsa i vetmi fakt është tentativa e qytetarëve për të rrethuar Kryeministrinë.
Ky moment mund të ngjallë dhe tension për faktin se policia ka refuzuar që protesta të zhvillohet në dy anët e Kryeministrisë, pikërisht tek Piramida dhe në rrugën “Ismail Qemali”.
Burimet shprehen të rezervuara ndërsa mesazhi i Bashës në të gjitha takimet me strukturat mësohet të ketë qenë jo vetëm për pjesëmarrje masive por dhe për rezistencë, çka le të kuptohet se protestuesit parashikohet të qëndrojnë gjatë në shesh. Lulzim Basha në rrjetet sociale dha mesazhin radhës për protestën e së shtunës.
Lulzim Basha: “16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhëtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marre në dorë fatet e tij si cdo popull Europian.Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg! Nuk vuan populli!”
Një parlajmërim kishte dhe për Kryeministrin.
Lulzim Basha: “Përgjegjësia për cdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!”
Para këtij mesazhi, Basha priti në zyrën e tij kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ku janë diskutuar detajet e fundit të protestës.
Ndërkohë policia dhe prokuroria janë në gadishmëri. Rreth 1300 policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, ku pjesa me e madhe do vendosen para Kryeministrisë, një pjesë tjetër në anën e Piramidës, ndërsa do të bllokohet çdo lëvizje në rrugën “Ismail Qemali”./Ora News








