Ministria e Arsimit ka vendosur së fundi për tre anëtarët e saj në Bordin e Administrimit të Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Fillimisht procesi dështoi dhe më pas u rihap sërish në fund të muajit mars. Tre anëtarët e këtij bordi janë Maksi Hoxha, Dorina Mastora dhe Ermelinda Kordha. Ata janë përzgjedhur nga komisioni mes 10 emrave që kishin aplikuar. Hoxha është kreu i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër dhe biznesmen në fushën e hoteleri turizmit. Mastora drejton filialin e një banke të nivelit të dytë në Gjirokastër, ndërsa Kordha është pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Bordet e Administrimit të universiteteve publike ndryshuan pas protestës studentore. Ministria shkarkoi përfaqësuesit e mëparshëm të lidhur kryekëput me qeverinë apo Partinë Socialiste, duke i shndërruar këto borde gati në celula partiake. Me rihapjen e aplikimeve nga Ministria e Arsimit pati edhe kritere deri diku të pakuptimta, sikundër ishte përvoja e punës së paku 10 vite. Po kështu u zgjodhën në borde edhe persona që s’kishin lidhje fare me universitetin përkatës, s’kishin asnjë vokacion apo njohje as për qytetin ku ndodhet universiteti etj.
Nga Gjirokastra kishte pedagogë që shkuan si anëtarë bordi në Universitetin e Elbasanit, ndërsa në Gjirokastër erdhën në bord nga emra Tirana, a thua se mbaruan kandidaturat në qytet. Kjo shkartisje është e pakuptimtë dhe nuk është se rezervon ndonjë qasje të re që bordet do të kenë këtej e tutje. Nga ana tjetër ishte një proces farsë, ai i gjoja zgjedhjes së një anëtari të bordit nga vetë studentët.
Ndonëse këta të fundit votuan sipas preferencave të tyre, rezultati s’ka pikë rëndësie pasi në fund vendos sërish Ministria e Arsimit. Kështu ndodhi edhe me Bordin e Administrimit të Universitetit të Gjirokastrës. Kandidati i votuar nga studentët u rrëzua nga Ministria e Arsimit. Thënë këto, nuk duhet pritur asgjë ndryshe nga bordet e reja. Vijojnë të jenë shtojca të bordeve të vjetra.
©argjiroja.net









