Për fat të keq, legjionarët kuqezi, një pjesë e rëndësishme e tyre, janë “zhdukur” këtë periudhë në Serie A, kjo si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar, apo zgjedhjeve teknike të trajnerëve. I rikthyer në fushë pak javë më parë, Berat Gjimshiti detyrohet të “parkojë” sërish në infermieri. Ishte fundi i pjesës së parë, në sfidën me Torinon, kur Gjimshiti u shtri në tokë. Pamjet dukeshin shqetësuese pasi kapiteni u largua nga fusha mes lotësh duke iu drejtuar menjëherë spitalit. Për fat të mirë, ekzaminimet e para përjashtuan fraktura apo tërheqje, por bëhet fjalë për një traumë të fortë në muskujt fundorë të barkut. Mbetet ende e paqartë koha e rikthimit të tij në fushë, me Atalantën që pritet të dalë me një njoftim zyrtar.
Për Torinon, titullar dhe 90-minuta u aktivizua Ardian Ismajli, me qendërmbrojtësin kuqezi që u vlerësua me notën 7-të. Në ndeshjen e tretë radhazi, Asllani qëndroi në stol për 90 minuta.
Asnjë minutë për Hysajn këtë javë, me anësorin kuqezi që mbetet me “valixhe në duar”, me Lazio-n që po kërkon një sistemim të ri për të.
Vijon fazën e riaftësimit Medon Berisha, ndërsa Ylber Ramdani u aktivizua për 78 minuta në takimin kundër Parmës. Mesfushori kuqezi u ndëshkua me karton të verdhë dhe nuk do të jetë në dispozicion të Lecces për takimin e radhës, atë kundër Inter.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









