Aktorja e njohur nga filmi High School Musical ka reaguar publikisht për të sqaruar një keqkuptim që po qarkullonte me shpejtësi në rrjetet sociale, duke mohuar përfshirjen e disa emrave të njohur në atë që u interpretua si një “grup toksik”. Përmes një deklarate, Ashley Tisdale theksoi se shoqet e saj të famshme Mandy Moore, Hilary Duff dhe Meghan Trainor nuk kanë qenë pjesë e asnjë grupi që e ka përjashtuar apo lënduar emocionalisht.
Si nisi gjithçka?
Debati shpërtheu javën e kaluar, pasi Ashley publikoi një shkrim personal në The Cut, me titullin “Ndarja me grupin tim toksik të nënave”. Në artikull, ajo rrëfente për një rreth shoqëror ku fillimisht ishte ndier e mirëpritur dhe e frymëzuar nga suksesi i grave që e përbënin, por që me kalimin e kohës nisi të ndjente përjashtim dhe distancim.
Aktorja, tashmë me mbiemrin e bashkëshortit French, rrëfeu se fillimisht u përpoq ta justifikonte situatën, duke menduar se të gjitha ishin të zëna me jetën dhe angazhimet e tyre. Megjithatë, një moment reflektimi gjatë një mbrëmjeje familjare e bëri të përballej me një ndjesi të dhimbshme pasigurie.
“Ndoshta nuk jam aq ‘cool’ sa duhet,” shkroi ajo, duke e krahasuar këtë përvojë me vitet e shkollës së mesme, kur ndihej e humbur dhe e lënë jashtë.
Ashley theksoi se artikulli i saj nuk kishte për qëllim të sulmonte persona konkretë apo të krijonte polemika mes emrave të njohur. Qëllimi i vërtetë ishte të nxirrte në pah një realitet me të cilin përballen shumë gra dhe nëna: përjashtimin shoqëror dhe ndikimin e tij në shëndetin mendor.









