Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, solli në vend disa ekspertë të huaj, të cilët ndihmuan në nxjerrjen e trupave nga rrënojat e banesave të tyre. Mes tyre, ishin edhe forcat italiane. Në një prononcim për “Il Fatto Quotidiano”, zjarrfikësi Massimo Marcocini ka folur me nota mjaft pozitive për shqiptarët.
“Kur na shihnin, na ndalonin në rrugë dhe na falenderonin. Disa të tjerë na ofronin ushqim, ëmbëlsira. Madje, kishte edhe nga ata që donin të na jepnin dhurata”-ka treguar Marcocini. Ai ndau gjithashtu edhe një moment të vështirë nga kërkimi i trupave të mbetur në rrënoja. “Në një moment ra një tërmet me magnitudë 5.2. Isha në mes të një ndërtese. Sa mirë që nuk zgjati shumë. Shqipëria është një vend që ka përparuar shumë, por ende nuk ishin të organizuar për të përballuar këto fatkeqësi”-ka vijuar më tej Marcocini.
51-vjeçari nga Livorno ishte një nga 175 zjarrfikësit italianë që rrezikuan jetën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja, kur pasgoditjetet e shumta të tërmetit ishin ende të forta. Risjellim në vëmendje se tërmeti me magnitudë 6.4 ballë mori 51 jetë njerëzish, si dhe plagosi mbi 900.