Pas revistës Time, edhe CNN ka postuar foto nga zjarri që ka përfshirë prej mbrëmë malin e Muzinës në Sarandë. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, siç mund të shihet edhe nga kjo foto e realizuar nga Gent Shkullaku dhe e publikuar edhe në faqen e CNN. Ndërhyrja gjatë natës ka qenë e pamundur, ndërsa prej mëngjesit kanë nisur operacionet e shuarjes edhe nga ajri.
Gjendja e rënduar e zjarreve në Shqipëri ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja. Revista prestigjoze “Time” publikoi në Instagramin e saj një foto nga Muzina në Sarandë, e përfshirë nga flakët.
“Time” shkruan poshtë fotos se zjarret janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë në zona me terren të vështirë, gjithashtu edhe në vende të tjera nëpër Europë.
“Një zjarr në malin e Muzinës në Sarandë, në jug të Shqipërisë më 9 gusht. Zjarret në pyje janë shpërndarë në gjithë Shqipërinë, në zona shpesh të vështira për t’u arritur, teksa shumë vende nëpër Europë janë përfshirë nga një valë nxehtësie e pazakontë.” – shkruan Time bashkangjitur me foton.