Një person ka humbur jetën në një zjarr në pyll që përfshiu pjesën veriore të Athinës të hënën, pranë liqenit Maraton.
Sipas autoriteteve greke, të paktën 18 persona mbetën të plagosur, kryesisht për shkak të tymit, shkruan AP.
Zjarri shkaktoi evakuime të shumta pasi erërat e forta penguan përpjekjet e qindra zjarrfikësve dhe avionëve që përpiqeshin të frenonin zjarrin.
Observatori Kombëtar Grek njoftoi se pamjet satelitore tregojnë se zjarri ka përfshirë rreth 10 mijë hektarë.
Serbia dhe Rumania do të ofrojnë ndihmë për Greqinë, si dhe Francën, Italinë dhe Republikën Çeke, të cilat do të dërgojnë avionë dhe dhjetëra zjarrfikës për të ndihmuar.
Ministri për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile Vasilis Kikilias vlerësoi se zjarri është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe se zjarrfikësit po luftojnë për më shumë se 20 orë në rrethana dramatike. Ai shtoi se disa zona nën zjarr në malin Pendeli ishin veçanërisht të vështira për t’u aksesuar.