Nga Mirela Kumbaro
Në mandatin e parë ne treguam se arritëm, ta nxjerrim Kulturën nga gropa e borxheve dhe gjendja e emergjencës.
E kthyem Kulturën në prioritet politik, në motor zhvillimi e pasaportë kombëtare, me të cilën edhe këtë javë e kthyem kryeqytetin shqiptar në qendër kulturore ndërkombëtare me premierën botërore të baletit të Angjelin Preljocaj dhe me Balkan Market Film.
100 ditët e para që kanë filluar të trokasin një nga një, janë një kalendar i ngjeshur për programin e qeverisë në Kulturë dhe pa humbur kohë dua t’i ndaj me ju një pjesë të angazhimeve tona dhe pastaj ju të na ndiqni me laps në dorë:
1. Sporteli unik i të drejtës së autorit
Kuadri i plotë ligjor dhe zbatimi i tij në fushën e të drejtave të autorit ishte jo vetëm një premtim i mbajtur në sfidën e integrimit europian, por edhe një betejë e rëndësishme e fituar në luftën e gjatë kundër piraterisë.
Brenda 100 ditëve krijojmë për të parën herë sportelin unik për të Drejtën Autorit. Kjo ndërmarrje:
– rrit transparencën në mbledhjen dhe shpërndarjen e shpërblimeve në interes të autorëve dhe artistëve;
– i jep fund abuzimeve në të drejtën e autorit;
– eleminon burokracitë për përdoruesit e veprave artistike;
– formalizon tregun artistik dhe rrit bazën e kontribuesve në buxhetin e shtetit.
2. Balkan Market Film
Ne 40 ditët e para organizuam dhe krijuam Tregun Ballkanik të Filmit duke e kthyer Tiranën në epiqendrën e shkëmbimeve të projekteve filmike të rajonit, që mblodhi përfaqësuesit e rëndësishëm të Evropës dhe Ballkanit për projekte bashkëpunimi në fushën e filmit; duke konfirmuar që tani për vitin tjetër këtë institucionalizim rajonal në Tiranë dhe duke kurorëzuar prodhime filmike të përbashkëta, si mënyra më e mirë për të festuar 20 vjetorin e krijimit të Qendrës Kombëtare të Kinemasë
Meqë jemi te filmi në këto 100 ditë:
3. Bashkëpunim për realizimin e filmit “Gjirokastra” të regjizorit të madh Aleksandër Sokurov me skenar të Ismail Kadarese
– Është ngjarje shumë e rëndësishme ndërkombëtare për përfshirjen e emrave të medhenj të produksionit filmik botëror.
– Xhirimet do te realizohen ne Shqipëri duke krijuar punësim, turizëm kulturor dhe ngjarje artistike në vendin tonë.
4. Programi kombëtar “Edukimi përmes kulturës” dhe udhëzimi i përbashkët i dy ministrave (MAS + MK) merr udhë në 100 ditët e para.
Ka filluar tashmë me programin e Teatrit të Operas dhe Baletit me 20 shkolla të Tiranës, dhe do të vijojë me krijimin e klubeve të teatrit në të gjitha gjimnazet deri në fund të vitit shkollor.
5. #TakohemiPërNjëLibër është një stacion i veçantë i Edukimit permes kulturës
– Nis në nëntor fushata kombëtare për leximin në të gjithë vendin duke përfshirë edhe shkollat, institucionet, bashkitë në të gjithë vendin e do të vazhdojë përtej vitit 2018.
6. Ndërtimi i 5 Biletarive te reja Elektronike në 5 site të trashëgimisë kulturore dhe muze siç janë Kalaja e Beratit, Kalaja e Shkodres, Parku Arkeologjik i Apollonisë, Muzeu Onufri, Kalaja e Gjirokastrës.
Në 4 vjet katërfishuam numrin total të vizitorëve dhe të të ardhurave në site të Trashëgimisë kulturore, dhe në disa prej tyre si në Gjirokastër apo Berat edhe i dhjetëfishuam.
Instalimi i Biletarive elektronike brenda 100 ditëve të para,
– do të sjellë modernizim të shërbimit, fiskalizim më të mirë dhe shpejtësi në shërbim;
– do të krijojë më tepër transparencë, eleminon çdo shfaqje korruptive në sistem dhe rrit të ardhurat nga biletat si rezultat i efiçencës dhe monitorimit.
7. Përfundojmë brenda 100 ditëve punimet e restaurimit të Qendrës historike në Voskopojë
– Restaurohet dhe promovohet Qendra historike e Voskopojes dhe 4 kisha brenda saj
– Rijetëzohet trashëgimia kulturore në vendet më të spikatura në vend për rritjen e fluksit të vizitorëve.
8. Përfundon restaurimi i Kishës së jashtëzakonshme të Labovës së Kryqit e cila bashkë me përfundimin e rrugës do ta kthejë atë zonë në një nga destinacionet më të preferuara të sezonit të ardhshëm turistik.
9. Përfundojnë punimet në Qafën e Pazarit në Gjirokastrës
Jo vetëm mbrohet trashëgimia kulturore në Pazarin e Gjirokastrës;
– Rijetëzimi i zonës si një potencial për një zhvillim të qëndrueshëm të ekomonisë lokale;
– Rijetëzimi dhe infrastruktura pritet të tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh vendas dhe të huaj në Gjirokastër që tashmë ka kaluar nga një qytet me 2 hotele në 2013 në qytetin me të paktën 15 oferta hoteliere tradicionale të reja.
10. Fillojmë nesër punimet për zbatimin e projektit të ri të rijetëzimit të qendrës historike të Vlorës, si kantieri më i ri i Trashëgimisë Kulturore
11. Rrugët e Besimit pjese e programit të Turizmit Kulturor, shënon
– 3 kantiere të reja në restaurimin e 3 kishave të Shën Mërisë në Kosinë dhe Bënjë të Përmetit, dhe në Sopik të Pogonit në Dropull
– 4 kantiere të reja në restaurimin e 4 xhamive trashëgimi kulturore në Gjirokastër, Berat, Tiranë
12. Fillon digjitalizimi i 3 koleksioneve më të mëdha të ikonave, të Muzeut të Artit Mesjetar të Korcës, të Muzeut Onufri në Berat dhe të Muzeut Historik Kombëtar
Nuk po ju marr më shumë kohë me kalendarin artistik, por zgjdhjet nuk mungojnë, mjafton t’i hidhni një sy faqeve të Ministrisë së Kulturës dhe aty do të gjeni ofertën kulturore për sezonin Vjeshtë-Dimër për të gjitha moshat