Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një familje në Tiranë pak orë pas ndërrimit të viteve. Sipas policisë një person, K.Sh., 34 vjeç ka qëlluar me thikë në qafë kunatin e tij i cili ka ndërruar jetë në spital si pasojë e goditjes së rëndë.
Blutë bëjnë me dije se autori K.Sh., 34 vjeç, i cili ka qenë në gjendje të dehur është vënë në pranga. Ndërkohë dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
“Plagosi me thikë me pasojë vdekjen kunatin e tij, vihet në pranga nga sherbimet e Policisë autori i dyshuar i ngjarjes. Rreth orës 03:45 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “5 Maji” pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta shtetasi K.Sh., 34 vjeç, në gjendje të dehur ka goditur me thikë në qafë kunatin e tij shtetasin V.Z., 42 vjeç, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë në spital. Sherbimet e Policisë kanë shkuar menjeherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Ngjarja e rëndë
Mbrëmja e ndërrimit të moteve është një mundësi për të festuar përtej familjes së ngushtë.
Këtë kishte zgjedhur edhe bashkëshortja e 52 vjeçarit, Vladimir Zvezhda, e cila mbrëmjen e shkuar kishte shkuar tek prindërit për të festuar.
Por, festa ka marrë një rrjedhë krejt tjetër duke përfunduar me vrasje. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, shtetasi Klajdi Shundi është përfshirë në debate me kunatin e tij, sigurisht në gjendje të dehur.
Pas sherrit në apartament, ata kanë dalë jashtë dhe në hyrje të pallatit, 34 vjeçari ka qëlluar me thikë në qafë kunatin e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autori i dyshuar përfundoi në pranga dhe ndodhet në qelitë e paraburgimit, ndërsa familja organizon ceremoninë mortore.