Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka depozituar në SPAK një kallëzim ndaj kryetares së Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, dhe zv.kryeministres, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se Balluku dhe Bufi lejuan ndërtimin e TEC-it në Roskovec në shkelje të ligjit.
TEC-i i Roskovecit ndërtohet nga firma e biznesmenit Bashkim Ulaj, i cili ka bërë një propozim të pakërkuar për këtë projekt. Banorët e kanë kundërshtuar vazhdimisht duke e cilësuar si një dënim me vdekje për zonën me potencial të madh turistik dhe që konsiderohet si hambar i bujqësisë në vend.
Reagimi i Bardhit:
Bëmat e shkeljes së ligjit nga Majlinda Bufi nuk kanë të sosur!
Çdo ditë dalin prova sesi Majlinda Bufi dhe Belinda Balluku nuk kanë prioritet interesin e qytetarëve, por kanë prioritet vetëm interesin e tyre personal. Të gjitha provat e shkeljes flagrante të ligjit në këtë rast të zbuluara nga investigimi i emisionit “Piranjat” do të depozitohen të hënën më SPAK. Uroj shumë që prokuroria speciale të ndëshkojë me forcën e ligjit abuzimin flagrant me ligjin dhe dëmtimin me dashje të interesit të qytetarëve.
Në një zonë bujqësore që me ligj nuk lejohet ndërtimi, nuk mund të ndërtohet vetëm sepse interesi personal korruptiv i Belindës dhe Majlindës e kërkon! Ligji mbi çdo interes personal duhet të jetë modeli i sjelljes së çdo zyrtari publik. E kundërta është guxim prej krimineli dhe që nuk mund të kalojë pa pasoja!