Lajmi që rreth 30 mijë refugjatë sirianë pritet të vijnë në territorin tonë, pas hapjes së kufirit që bëri Turqia, nuk ka marrë ende vëmendjen e duhur. Qeveria nuk e ka përgënjeshtruar, ndërkohë që janë publikuar edhe të dhëna për 5 kampet e mundshme që do të ngrihen. Po sa të gatshëm jemi ne për të pritur një fluks të tillë, dhe a e përdor Rama këtë krizë për kapital politik dhe mbështetje nga BE. Gazeta MAPO bën një analizë të detajuar. Flasin Zef Preçi, Pëllumb Nako dhe Blerina Hoxha.
Presidenti i Turqisë Reccep Taip Erdogan, pas konflikteve me BE në lidhje jo vetëm me ndihmat e premtuara, por edhe për anëtarësimin, ka hapur dyert për refugjatët sirianë, të cilët tashmë ndodhen në kufirin me Greqinë. Ky vend strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë dhe vetëm 1 milion të tjerë vijnë nga vendet e tjera. Ai e kish paralajmëruar me kohë BE-në që në rast se vazhdohet me indiferencë do të hapë dyert e vendit të tij, me qëllim që refugjatët të dynden drejt Europës. Ata tashmë kanë ngecur në kufirin me Greqinë, e cila ka dislokuar aty ushtrinë. Por as nuk mund të kthehen mbrapsht pasi ushtria dhe policia turke nuk i lejon. Ata kanë mbetur në zonën asnjanëse në mes të dy shteteve, me fëmijë të mitur ndërkohë që për ta po kujdesen shoqatat humanitare. Ende nuk është bërë i ditur një numër ekzakt, pasi sipas CNN grek, në drejtim të Greqisë vazhdojnë të vijnë refugjatë nga vendi i konfliktit, çka parashikon një krizë të re refugjatësh në kufijtë e Europës, ndoshta dhe më e madhe se ajo e vitit 2018. E kur flasim për refugjatë, shqiptarët duhet dhe janë nga popujt më të ndjeshëm në botë. Ata akoma i kanë të skalitura anijet plot e përplot me njerëz që i drejtoheshin brigjeve italiane në kërkim të një jete më të mirë. Deri më tani ka pasur raste sporadike dhe kjo për shkak të relievit të vështirë që ka Shqipëria, për të kaluar që këtej refugjatët që vijnë nga Greqia. Vargmalet përgjatë kufirit, dhe mungesa e transportit e vështirësojnë akoma më shumë rrugëtimin e tyre.
Kosto për një refugjat
Prej disa ditësh në media, është përhapur lajmi se Shqipëria po përgatitet të ngrejë kampet për refugjatët sirianë. Qeveria shqiptare akoma nuk është prononcuar rreth kësaj çështjeje. Natyrisht, vendi ynë nuk mund të rrijë jashtë kësaj krize, por a ka kapacitetet e duhura për t’i mbajtur. Buxheti i lodhur i Shqipërisë nuk mund ta përballojë pavarësisht rrahjes së gjoksit të kryeministrit apo ata që ka përreth. Për gazetaren Blerina Hoxha të revistës Monitor, Shqipëria e ka thuajse të pamundur me buxhetet që ka për të pritur një valë refugjatësh. Ajo bën dhe një analizë të detajuar të asaj çka po ndodh pas tërmetit të vitit të kaluar. “Institucionet shqiptare nuk kanë kapacitete të brendshme financiare për tëpërballuar emergjenca civile që vijnë nga jashtë. Fondet e kufizuara të fondeve rezervë nga buxheti i shtetit nuk mjaftojnë për raste të tilla. Në buxhetin e këtij viti fondet rezervë në buxhetin e shtetit, një zë që programohet për të përballuar situata të parashikuara janë vetëm 1.7 miliard lekë ose rreth 15 milionë euro. Ndërsa baza materiale si ushqime dhe logjistikë nga rezerva e buxhetit të shtetit është konsumuar për shkak të ngjarjeve që krijoi tërmeti i 26 nëntorit”, thotë Blerina Hoxha për gazetën MAPO. Me standardet e BE-së, Gjermania për shembull harxhon nga 12-15 mijë euro në vit për çdo refugjat në territorin e saj. Kostoja shkon deri në 16 miliardë euro në vit për 1.3 milion refugjatë. Normën më të ulët deri më tani e ka Turqia, e cila paguan rreth 75 euro për çdo refugjat dhe që deklaron se deri më tani ka shpenzuar rreth 33 miliardë euro. Natyrisht, askush nuk pretendon që Shqipëria të presë këto shifra refugjatësh, apo për më shumë të harxhojë shuma të tilla, por sikur dhe 10 përqind e tyre të duhen Shqipëria nuk është në gjendje ta përballojë. Tërmeti i 26 nëntorit, tregoi qartë se niveli i të ardhurave në buxhet është mjeran. Qeveria shqiptare bëri fushatë nëpër Europë për ndihma, pas tërmetit, dhe sot e kësaj dite ka ende shumë njerëz në çadra.
Politika
Por kur bëhet fjalë për çështje të mëdha, Kryeministri shqiptar nuk mendohet dy herë për t’i hyrë detit me këmbë. Mbështetja politike që mori në rastin e muxhahedinëve, nuk përjashtohet që të përdoret dhe në këtë rast. Në vitin 2018, kur kriza e refugjatëve ishte në kulmin e saj, zëvendësministri i Brendshëm, Hodaj do të deklaronte nga Gjermania në televizionin gjerman ZDF se: “Shqipëria ka infrastrukturën për të pritur 600 mijë refugjatë”. Për këtë Hodaj i referohej eksodit nga shqiptarët e Kosovës në vitin 1999. Por duke harruar se në atë rast, nuk ishte më shumë meritë e qeverisë shqiptare, se sa e popullit shqiptar që i hapi dyert qindra mijë shqiptarëve të Kosovës nga jugu në veri. Por mund të ndodhë kjo me një popull që s’ka të përbashkët as gjuhën, as zakonet dhe asgjë me shqiptarët? Në një rast të tillë barra do i mbetej buxhetit të shtetit, dhe në rast se do zbatoheshin standardet e BE-së do të duhen shtatë deri në tetë miliardë euro në vit, por edhe në rast se do të përdornim standardin e Turqisë sërish Shqipërisë do i duheshin rreth 500 milionë euro në vit për të plotësuar kërkesat minimale të tyre. Një situatë e tillë, do trazonte keq stabilitetin social dhe ekonomik të vendit, që dhe tani është në nivele jo që të dëshirueshme.
Qeveria gjithnjë e gatshme
Dy vite më parë gjatë një vizite në Vjenë të kryeministrit Rama, ku takoi edhe kancelarin e sapozgjedhur Sebastian Kurz, mediat europiane njoftuan se ishte rënë dakord që Shqipëria të kthehej në një bazë të përkohshme të mijëra emigrantëve. U tha se edhe Danimarka kishte rënë dakord me këtë plan dhe së bashku me Austrinë do të lobonin që shpërblimi për Edi Ramën, të ishte hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Në të njëjtën periudhë media e njohur gjermane `ZDF` dha lajmin, se Shqipërisë i ishte kërkuar që të priste përkohësisht deri në 600 mijë refugjatë, të shpërngulur nga lufta në atë zone. Por plani stopoi pas marrëveshjes së BE-së me Turqinë, e cila mori përsipër të shndërrohej në një bllokadë dhe vendstrehim i përkohshëm për miliona refugjatë, që vinin nga lufta në Siri. Ndërkohë, Shqipërisë nuk iu hapën negociata, por pret që kjo të ndodhë në samitin e kësaj pranvere. Në atë periudhë, madje në Shqipëri, u ngrit edhe një grup i posaçëm pune nga qeveria, i cili përcaktoi dy zona të akomodimit paraprak; njëra në Gjirokastër dhe tjetra në Korçë në afërsi të Kapshticës. Në mediat shqiptare është përhapur lajmi se grupi i punës është riaktivizuar dhe fillimisht Shqipëria po përgatitet për valën e saj prej 30 mijë personash. Kështu, mediat raportojnë se ka nisur ngritja e qendrave të pritjes dhe kampeve në: Gjirokastër (Arshilengo); kapaciteti akomodues afërsisht 5000 persona, përfshi këtu të gjithë emigrantët që mund të hyjnë në këtë Qark. Korçë (Pocest) afërsisht 5000 persona; Floq afërsisht 3000 persona Sarandë – Krane; afërsisht 1000 persona. Të gjitha këto qendra do të jenë si ‘vendgrumbullime’ emergjente afër kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, por Grupi i Punës po punon edhe për kampe më të stabilizuara dhe të planifikuara si jetëgjatë, në brendësi të territorit të Shqipërisë. Qeveria shqiptare ende s’i ka përgënjeshtruar këta zëra.
Kryeministri i përdor krizat për mbështetje
Kur vjen punë për çështjet madhore, Kryeministri shqiptar që vuan për pak protagonizëm, është nga të parët që vetofrohet. Në fillim ishte kriza e armëve kimike të BasharAlAsaddit, ku Rama ofroi territorin shqiptar për asgjësimin e tyre. Ishin protestat qytetare ato që e detyruan të tërhiqet. Në rastin e muxhahedinëve nga Irani, ishte qeveria Rama ajo që i pranoi, pas një marrëveshjeje të lidhur më parë me SHBA-të nga qeveria Berisha. Dhe ta mendosh nuk i ka dalë keq! Mbështetja e ndërkombëtarëve ka qenë jo e vogël, me gjithë skandalet që e kanë shoqëruar qeverinë në këto shtatë vite. Ata mund të kenë përpara një njeri autoritar, që e ka zhytur vendin në varfëri e korrupsion, që ka parametrat më të dobët të qeverisjes në historinë e pluralizmit shqiptar, që shqiptarët po i ikin nga vendi si një vend në konflikt, që të gjitha raportet shënojnë regres, por ama kanë një njeri të bindur ndaj kërkesave të tyre dhe të gatshëm që të sakrifikojë nga interesat e vendit dhe popullit të tij, për të kënaqur interesat e tyre gjeostrategjikë. Rama, për kredon e ndërkombëtarëve nuk ngurron t’i bjerë ndesh dhe interesave kombëtare, siç është rasti i Kosovës, të ratifikojë marrëveshje kufijsh detarë si në rastin e Greqisë, dhe ta vazhdojë të luajë kartën e patriotit. Rreziku për ta zhytur Shqipërinë në një kaos social dhe ekonomik, me refugjatët është real, vetëm në rast se ata nuk do preferonin rrugëkalimin për në Shqipëri, ashtu siç ndodhi dhe në vitin 2018. Por në rast se merret vendimi që Shqipëria të kthehet në kamp refugjatësh, atëherë dhe ata nuk kanë shumë zgjedhje. Ndërkohë, shumë shtete më të mëdha dhe më të fuqishme se ne, kanë refuzuar të marrin një vendim të tillë.
Shqiptarët vazhdojnë ta braktisin vendin
Shqipëria nuk është vendi ideal për të jetuar. Shqiptarët në shtatë vitet e qeverisjes së Ramës, kanë kryer ndoshta eksodin më të madh dhe se në fillimin e viteve ‘90. Vetëm përgjatë këtyre viteve janë larguar drejt vendeve të BE-së më shumë se 330 mijë shqiptarëve, ndërsa ndër vite mendohet se jo pak, por 1.8 milionë shqiptarë të lindur në Shqipëri janë larguar drejt vendeve të BE-së, por dhe jashtë kontinentit. Shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë azil, dhe intensiteti i kërkesave është shtuar. Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik të 2018, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin.
Ish-drejtori i kufirit, Nako: Nuk ka vend për panik
Ish-drejtori i kufirit Pëllumb Nako, në një intervistë për gazetën MAPO shprehet se në lidhje me situatën e krijuar nuk ka vend për panik. Sipas tij, Shqipëria nuk u prek nga kjo valë refugjatësh në vitin 2016-2018 dhe nuk do preket as tani.
-Sa e përgatitur është Shqipëria për të pritur një valë emigrantësh?
Kërcënimi i një vale të re refugjatësh nga Siria me drejtim Europën u bë i pranishëm edhe këto ditë në median e shkruar dhe vizitave të vendit tonë. Këtë radhë si specifikë kërcënimi kishte të bënte me përdorimin e emigrantëve për qëllime të natyrës politike. Informacione dhe raporte të ndryshme të institucioneve të sigurisë europiane flasin për një qëndrim të Turqisë për të detyruar Bashkimin Europian të përfshihet në zgjidhjet politike të veriut të Sirisë ku interesat e sigurisë së Turqisë përplasen me ato të Sirisë. Sipas shtetit turk, në atë zonë rrezikohen nga një katastrofë humanitare rreth 1 milion njerëz. E gjithë kjo masë u spostua drejt kufirit turk si rezultat i bombardimeve të ushtrisë siriane. Ndërkohë, për këtë rrezik të ri fluksi, Bashkimi Europian nga ana e tij nuk ka ndërmend të bëjë lëshime ndaj Turqisë duke i kujtuar asaj “respektimin e angazhimeve të marra”. Kjo sepse të dy vendet kanë tashmë marrëveshje të përhershme për këtë problem. Pra, bëhet fjalë për ndihmën financiare të Bashkimit Europian me Turqinë të akorduar me rastin e flukseve në vitin 2016. Ndihma në fjalë kap shifrën 10 miliardë euro dhe ka për qëllim “pengimin e shtyrjes së refugjatëve në anën tjetër të Egjeut.” Ndërkohë Greqia nga ana e saj, kërkon po ashtu masa konkrete nga Bashkimi Europian sepse ajo ndodhet në vijën e parë dhe prej disa javëve ndodhet nën manifestimet e protestave të banorëve të ishujve të saj të cilët sot numërojnë rreth 38 000 emigrantë nga vendet me konflikt dhe vetëm 6 mijë vende strehimi, pra më shumë se gjashtë herë më tepër se nevojat. Duke pasur një situatë të rënduar brenda territorit të saj Greqia ka vendosur të reagojë me forcë. Qeveria ka njoftuar forcimin në maksimum të kontrollit të kufijve të saj tokësor dhe detar duke dyfishuar praktikisht numrin e tyre. Faktikisht këto ditë Greqia ka zmbrapsur disa dhjetëra mijë refugjatë të ardhur nga Turqia. Po ashtu edhe agjencia Europiane e mbrojtjes së kufijve FRONTEX ka forcuar shumë patrullimet në ujërat e detit Egje. Thuajse në të njëjtat kushte ndodhet edhe Bullgaria. Edhe ky vend ka menduar të forcojë kontrollin kufitar me Turqinë. Kryetarja e Komisionit Europian deklaroi se është shumë e shqetësuar për gjendjen ndërmjet kufijve të Turqisë dhe Bashkimit Europian dhe ajo ka theksuar se do të mbështesë Bullgarinë dhe Greqinë për të përballur presionin.
-Sa të vërteta mund të jenë lajmet për 30 mijë refugjatë?
Shifrat e dhëna në media lidhur me mundësinë e strehimit të 30 mijë sirianëve në vendin tonë duken të zmadhuara, aventureske dhe pa asnjë bazë reale. Të tilla mbeten edhe shifrat e deklaruara më parë nga qeveria. Këto ditë Rumania është shprehur se është e gatshme të presë deri më 2700 veta. Në këto kushte, duke parë një lloj matje forcash ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Europian për probleme me natyrë gjeostrategjike siç është konflikti në Siri, duket qartë që Bashkimi Europian nuk ka ndërmend të lëshojë pe që në Europë të përsëritet fluksi i vitit 2016. Strategjia do të jetë ajo e bllokimit të migracionit në kufijtë e Bullgarisë dhe Greqisë duke vazhduar tratativat e nivelit më të lartë politik ndërmjet BE-se dhe Turqisë, duke mos përjashtuar ndihmë financiare suplementare për Turqinë, si me atë të rënë dakord më 2016. Ndaj pak gjasa ka që të përballemi me situatën e vitit 2016 e cila gjithsesi nuk e preku Shqipërinë dhe ku vendi ynë ishte një degëzim dytësor, krahasuar me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Vala e refugjatëve, qeveria të bëjë transparencë
Nga Zef Preçi
Ditët e fundit, jo pa shqetësim është folur dhe shkruar gjerë e gjatë mbi kërcënimin që përbën vala e re e refugjatëve sirianë që po përpiqen me çdo mjet të kapërcejnë kufirin e jashtëm të BE (që në fakt është kufiri shtetëror midis Turqisë dhe Greqisë) për t’u drejtuar drejt BE në tërësi dhe Gjermanisë në veçanti. Në këtë kontekst është komentuar e kritikuar edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj këtyre zhvillimeve dramatike në kufirin greko-turk të mbuluara gjerësisht edhe nga masmedia botërore. Ajo që të bie më tepër në sy është lajmi i pakundërshtuar nga qeveria shqiptare se “në Shqipëri do të vendosen kampe për të strehuar 600 mijë azilantë”. Në të vërtetë, ky lajm ka qarkulluar disa herë qysh nga viti 2015 dhe madje edhe ka qenë hedhur poshtë nga drejtues të mazhorancës aktuale si i pavërtetë (2018), ndonëse rikthehet në skenë sa herë që vendi pret vendimmarrjen e radhës për çeljen ose jo të negociatave me BE-në dhe në masmedia përcillet si njëlloj shkëmbimi jotransparent për interesa politikë që Kryeministri Rama i bën marrjes së kësaj ftese me ofrimin e territorit shqiptar duke rrezikuar kthimin e tij në një rezervat për refugjatët ekstrakomunitarë (në rastin e fundit janë kryesisht qytetarë sirianë që prej vitesh jetojnë në Turqi). Le të përpiqemi ta shohim këtë problem pak më në detaje.
Së pari, mendoj se është krejt e natyrshme që autoritetet shtetërore shqiptare, me përmbushje të funksioneve të veta kushtetuese dhe ligjore, të marrin masa përgatitore për situata emergjente, për këtë ose për shkaqe të tjera. Ndërsa pritja dhe trajtimi i refugjatëve përbën një situatë të veçantë për vendin tonë. Kjo jo thjesht për humanizëm, as për faktin e njohur se Shqipëria është vetë një vend refugjatësh (rreth 1/3 e popullsisë jeton e punon jashtë territorit të Republikës), as për faktin se vendi ynë është nënshkrues i akteve ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve në situata të tilla. Përgatitja e infrastrukturës, ngritja e kapaciteteve menaxheriale përkatëse, sigurimi i rezervave, masat për sigurinë publike etj., janë detyrë e çdo shteti normal demokratik dhe ne duhet të mësohemi për të qenë në vijimësi të tillë. Nëse shteti nuk funksionon me këtë mënyrë rrezikojmë që në rastin e një krize humanitare (përndryshe mbërritja e valës së refugjatëve në kufijtë tanë jugorë e juglindorë) të krijohet ajo situatë e turpshme që u krijua me rastin e tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019, d.m.th. kur Agjencia përkatëse nuk ishte ngritur ende, kur mungonte fondi Financiar për emergjencat, kur infrastruktura përkatëse e sidomos mjetet e rënda deri edhe qentë e trajnuar mungonin… Ja përse qeveria ka detyrimin të jetë transparente me taksapaguesit duke bërë publike se çfarë kapacitetesh infrastrukturore, njerëzore dhe institucionale kemi për t’u paraprirë emergjencave apo flukseve të reja masive të migrantëve të parregullt, për koston e të cilave duhet të tregojmë mirëkuptimin tonë të gjithë qytetarët e vendit. D.m.th. kërkesa kryesore aktuale është rritja e transparencës së këtyre përgatitjeve, duke marrë në konsideratë gjendjen e përgjithshme të vendit, mundësitë reale të tij dhe detyrimin tonë për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës dhe shpëtimit të jetëve të qytetarëve të huaj të rrezikuara. Kuptohet se në këtë mënyrë, cilido mund të gjykojë mbi veprimet e ligjshme, të logjikshme dhe që kurrsesi nuk duhet të lejojmë që ky detyrim dhe qëndrim human i shtetit të mos përdoret si monedhë shkëmbimi, qoftë edhe për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, përndryshe çeljes së negociatave në muajt në vijim. Shumëkush ende mund të kujtojë se një pjesë e popullsisë ende beson se “humbëm shansin për te përfituar disamiliarda Euro ndihma Perëndimore në rastin e mundësisë për të sjellë dhe asgjësuar në vendin tonë armët kimike të Sirisë” vetëm disa vite më parë… Histori të tilla, sa naive aq edhe djallëzore, me sfond të pastër përfitimesh momentale politike, nuk duhen lejuar të ndodhin më.
Së dyti, në opinione të ndryshme të këtyre ditëve është shfaqur, jo pa baza, edhe shqetësimi se ardhja e një numri prej disa qindra mijëra vetësh në vendin tonë, rrezikon të krijojë çrregullime serioze sa i takon ekonomisë, rendit publik (sigurisë), deri edhe te mundësia e qëndrimit të përhershëm të tyre në vendin tonë duke u shndërruar në votues të qeverisë qe ju mundëson strehimin etj. Këtë opinion të fundit e ushqen edhe fakti se shqiptarët veçanërisht gjatë 4-5 viteve të fundit, mbeten ndër kombet me nivelin më të lartë të emigrimit dhe të kërkesave për azil në Europë.
Sipas mendimit tim, dhe duke gjykuar kalimin në vendet e BE-së, dhe mbi të gjitha nga numri i qytetarëve të huaj që hyjnë në territorin tonë në mënyrë të rregullt dhe të parregullt por që regjistrohen si kërkuespër azil, mund të arrihet në konkluzionin se këto rreziqe janë minimale, të paktën për këto javë të para të krizës në kufirin greko-turk. Më konkretisht të dhënat tregojnë se mungesa e zhvillimit në mjetet e transportit (mungesa e hekurudhave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera Europiane përlëvizjen e pasagjerëve) ka bërë që vendi ynë të mos jetë tërheqës për refugjatët sirianë apo nga vende të gjera që synojnë tëarrijnë vendet e BE-së dhe posaçërish tGjermaninë. Kjo mbart rrezikun që edhe pse ardhjet e refugjatëve supozohet se mund të jenë relativisht minimale, ekziston mundësia që të mbeten këtu për një kohë të gjatë, kohë gjatë sëcilës rritet presioni ndaj qeverisë për t’i strehuar në vendin tonë, por edhe joshja e vetë qeverisë për shkak të fondeve që zakonisht premtohen nga agjencitë e specializuara dhe qeveritë perëndimore në raste të krizave të tilla. Është interesante të theksohet gjatë viteve të fundit shtypi ka raportuar rritjen e fluksit të imigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri. Kështu gjatë vitit 2018 janë ndaluar rreth 5.730 shtetas të huaj, pothuajse pesë herë më shumë se një vit më parë, rritje kjo e shoqëruar edhe me shtimin e numrit të kërkesave për azil – nga 307 kërkesa (2017) në 4,378 kërkesa (2018).Ndërsa një studim i mëvonshëm (2019) tregon se pavarësisht rritjes së numrit të migrantëve të parregullt që hyjnë në vendin tonë, kryesisht përmes kufirit jugor me Greqinë, për të vijuar më tej me Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë dhe me destinacion përfundimtar vendet e BE-së vetëm rreth 1% e tyre, mbeten të interesuar për të qëndruar në Shqipëri. Kjo për faktin se ata e zgjedhin Shqipërinë thjesht si një rrugë tranzite në Ballkan, por jo si destinacionin përfundimtar të tyre, pa folur për mundësinë e rikthimit në vendin e tyre të origjinës në të ardhmen (të paktën për sirianët).
Së fundi, situata potenciale e rritjes së numrit të emigrantëve që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë mendoj se duhet të sjellë në vëmendjen e agjencive ligjzbatuese nevojën e forcimit të vigjilencës në kufijtë detarë për të parandaluar rikthimin e kohës së skafeve. Kjo edhe për faktin se trafikimi i drogave për një kohë të gjatë ka krijuar përvojën, kontaktet dhe gjithçka tjetër të nevojshme për infrastrukturën e rrjeteve kriminale që operojnë në këtë rajon të botes. Janë të gjitha gjasat që trafiku detar mund të rifillojë dhe jo vetëm nërrugët detare, por edhe përmes transportit të brendshëm automobilistik drejt kufijve veriorë të vendit me Malin e Zi dhe Kosovën. Po kështu, janë shtuar rreziqet për akte të dhunshme kriminale ndaj vetë refugjatëve, të cilat sipas raportimeve të masmedias kanë filluar të shfaqen në formën e mashtrimit dhe braktisjes mbasi iu kanë marrë paratë për transportimin e tyre deri në kufijtë shtetërorë, dhunës seksuale etj.
Mendoj se nuk duhet nënvleftësuar edhe ndikimi i një fluksi të shtuar të emigrantëve në ekonominë e vendit dhe nëveprimtarinë e qeverisë shqiptare, e cila edhe pa këtë fluks vazhdon të jetë problematike për shkak të paqëndrueshmërisë dhe debatit politik të brendshëm.
MAPO