Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke raportuar në Komisionin Hetimor renditi arsyet që e çuan në vendimin për të zhdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale. Ai tha se ka patur informacione për akte destabilizuese në vend. Ky informacion i ishte dhënë Presidentit më datë 7 Qershor, një ditë para se ai të nxirrte dekretin.
Meta në Komision: “Presidenti për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, edhe përmes burimeve të tjera për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të vecantë në datën 7 qershor një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin për shfuqizimin e datës 30 qershor ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar. Nëse komisioni do të njihet mund të ndodhë, pasi të merrej leja dhe te verifikohen certifikatat e sigurisë të anëtarëve të komisionit. Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më 8 qershor, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë”.
Më tej, ai u shpreh: “Ky ishte informacion i besueshëm, po të kishe parasysh pasojat nga këto protesta e konfrontime. I keni parasysh deklaratat e Ministrisë së Brendshme për shumë policë të plagosur, duke e kombinuar këtë informacion mora atë vendim. Një ngjarje e cila mund të prodhonte pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit të vendit tonë që me aq ngjarje që ishin bërë deri në atë moment ishte shkatërruar. Historia e vendit tonë për fat të keq nga 2 prilli e deri në 21 janar është plot me ngjarje të tilla të hidhura ku përmes protestave e gjatë protestave kemi pasur viktima dhe isha i bindur se ishte detyra ime që të bëja gjithçka që në datën 8 qershor të evitohej në mënyrë të padiskutueshme një ngjarje e tillë e të krijoja mundësi për një dritare e reflektim midis palëve sikurse e thotë edhe qartë raporti i OSBE-ODIHR. Pra gjithcka ishte antagonizëm i përbashkët i dy palëve që dëmtonte dhe cënonte integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Antagonizëm do të thotë armiqësi, kështu që në këto kushte, kjo do të ishte një goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet e 30 qershorit, por kthim i madh mbrapa per vendin. Deri në atë moment të dyja palët (opozita e mazhoranca) kishin dhënë shembull të shkëlqyer për të ecur përpara në rrugën e konfliktit pa marrë përgjegjësite e asaj që mund te ndodhte. Isha i detyruar të shoh interesin kombëtar të vendit si President”.