Protesta në 114-vjetorin e Pavarësisë, një ditë e shënuar për popullin shqiptar, u përshkallëzua në akte dhune. Me flamuj nëpër duar, por nga ana tjetër me maska e shkopinj druri, një grup protestuesish të dhunshëm nisën sulmet me gurë ndaj efektivëve e godinës qeveritare sapo mbërritën në bulevard.
Protestuesit hedhin molotovë e fishekzjarrë drejt uniformave blu, ndërsa sulmuan edhe disa institucione të tjera, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Bujqësisë, si edhe godinën e Teatrit të Kukullave.
Policia është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Pas gati 3 orësh qëndrim në Bulevard, protestuesit janë zhvendosur sërish në sheshin “Skëndërbej”, ku u përplasën me efektivët dhe sulmuan edhe Bashkinë e Tiranës. Deri më tani raportohet për 35 të lënduar, 12 policë, 6 përfaqësues mediash (1 e huaj), 3 kalimtarë, 1 punonjës sigurie dhe 13 protestues. Efektivët kanë shoqëruar deri më tani 16 persona.
Tubimi nisi në 10:00 sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me flamuj kuqezi në duar. Pas dy orësh qëndrim në shesh, protestuesit u zhvendosën te Kryeministria, ku nisën edhe aktet e dhunës, ndonëse policia u përcolli mesazhe feste, me makina e skafandra të veshura me motive kuqezi.
Në shesh u shfaqën edhe protestues me maska e shkopinj, mes tyre të mitur.









