Në kuadër të aktiviteteve të sotme me rastin e çeljes së sezonit turistik, pati edhe një vizitë nga Kumbaro, Tavo, Çuçi, Bime, Golemi e kryebashkiakja Zamira Rami tek Muzeu Etnografik i Gjirokastrës, i vendosur prej vitesh në shtëpinë e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Aty Vangjel Tavo u tha kolegëve që e shoqëronin se ka menduar t’i bëjë dhuratë muzeut karrigen e Enver Hoxhës, të cilën ai e disponon si relike. Kryebashkiakja Zamira Rami i ka kërkuar që këtë ta thotë para kamerave të televizioneve që i shoqëronin.
Dhe duke e ditur se në Gjirokastër ka ende një grup fanatikësh të Enver Hoxhës, të cilët mund t’i miklosh për t’i marrë votën qoftë edhe me një deklaratë të tillë, deputeti i LSI-së dëgjoi këshillën e kryebashkiaes dhe e tha publikisht këtë premtim. Bëhet fjalë për karrigen e Enver Hoxhës në vilën qeveritare në Drilon të Pogradecit.
Por ndonëse pati interesim nga të pranishmit, Tavo refuzoi të tregonte publikisht se si ka rënë në dorë të tij kjo karrige. Dihet që vilat qeveritare në zona të ndryshme të vendit janë prona publike dhe administrohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
Kjo do të thotë se asnjë objekt nuk hyn apo del prej këtyre ndërtesave pa miratim nga ky institucion. Mbetet për t’u parë nëse Vangjel Tavo do ta tregojë si i ra në dorë karrigia e ish-diktatorit. Ndoshta shpjegimin e ka lënë për momentin kur do ta sjellë në Gjirokastër këtë orendi, sikundër premtoi sot publikisht.
/ArgjiroLajm.net/