Java që u mbyll ishte dramatike përsa i përket rasteve të reja me koronavirus në të gjithë vendin. Përjashtim këtu nuk bën as qarku Gjirokastër, ku gjatë 7 ditëve pati 136 raste të reja me Covid. Dikur një ‘zonë e gjelbër’ bashkë me Dibrën, sot një vatër infeksioni që nuk e parashikon dot se si do të shkojë situata. Por përse ka kaq shumë raste të reja në Gjirokastër? Shkaqet janë komplekse dhe natyrisht meritojnë një studim më të thelluar nga epidemiologët dhe specialistët e shëndetit publik, por nëse bëjmë një vëzhgim të shpejtë mund të rendisim disa arsye.
Së pari janë rritur rastet e testimeve dhe normalisht me rritjen e testimeve propabiliteti që të ketë më tepër raste të reja është i lartë. Së dyti ka një numër të madh personash që edhe pse kanë simptoma të ngjashme me Covid 19 nuk paraqiten fare te mjeku i familjes e as nuk karantinohen, por zgjedhin ta kalojnë si një grip i zakonshëm dhe vijojnë aktivitetin e tyre duke infektuar edhe të tjerë.
Së treti, janë personat asimptomatikë që nuk e dinë se janë bartës të Covid 19 dhe lëvizin lirshëm duke përhapur infeksionin. Së katërti, një pjesë e konsiderueshme e atyre që bëjnë tamponin në strukturat shëndetësore shtetërore, derisa të dalë përgjigjja nuk izolohen por lëvizin lirshëm dhe kur janë me Covid normalisht që infektojnë edhe persona të tjerë. Ke plot raste në Gjirokastër që persona të cilët kanë kryer tamponin dhe presin përgjigjen lëvizin lirshëm nëpër kafene, punë apo ambiente të tjera. Biem dakord se është e pamundur që këta persona të monitorohen të gjithë nga policia apo struktura të tjera shtetërore.
Ata duhet të jenë vetë të ndërgjegjshëm kur sapo bëjnë tamponin të izolohen apo kur kanë simptoma të karantinohen në pritje të testit që vërteton nëse janë ose jo me Covid. Ka dhe një problem tjetër këtu. Përgjigjet e tamponit nga Instituti i Shëndetit Publik vonojnë shumë. Në disa raste shkojnë dhe në mbi 10 ditë. Nëse përgjigjet do të dalin më herët, personat që rezultojnë pozitiv izolohen në një kohë më të shpejtë. Kush kërkon një përgjigje të shpejtë të testit të Covid i drejtohet klinikave private që sigurisht ofrojnë një çmim të shtrenjtë, rreth 100 euro për test. Përgjigjen e merr brenda 24 orëve. Me siguri që edhe disa aktivitete të njëpasnjëshme me grumbullime njerëzish që bien ndesh me kufizimet e përhapjes së Covid 19 kanë ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të reja.
136 raste të reja brenda një jave janë realisht shumë për një qark të vogël si Gjirokastr. Një ditë më parë u raportua për një grua 77-vjeçare që ndërroi jetë nga Covid. Vështirë të parashikosh se si do të shkojnë gjërat, por gjasat janë të shkohet drejt një mbyllje të dytë të pjesshme. Nëse vijon rritja e rasteve të reja me këtë ritëm si ky i javës që mbyllëm, edhe Gjirokastra mund të ketë një karantinë të dytë sikundër përflitet deri më tani për Tiranën dhe zona të tjera me numër tejet të lartë të infektuarish.
©argjiroja.net