Publikohen sot disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme të cilat i përkasin dosjes hetimore dhe gjyqsore të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve”, ku bënin pjesë 24 të pandehur dhe midis tyre emra dhe personalitete të njohura të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e më pas deputetë të Parlamentit Shqiptar apo në Kryesinë e Frontit Demokratik të Shqipërisë të kryesuar nga gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, si Shefqet Beja, Dr. Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, etj., të cilët u nxorrën para një gjykate ushtarake të kryesuar nga major Niko Çeta dhe prokuror, Josif Pashko.
Cilat ishin akuzat e formuluara nga ana e trupit gjykues ndaj 24 të pandehurve: Shefqet Beja, Enver Sazani, Sheh Ibrahimi (Karbunara), Selaudin Toto, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Hysen Shehu, Salim Kokalari, Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Rram Marku, Beqir Çela, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Saggioti Paolo, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Shefki Minarolli, Pertef Karagjozi, Mehmet Prishtina dhe Agathokli Xhitoni?
Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor të pandehurit e “Grupit të Deputetëve”, lidhur me: organizimin e tyre, degët që kishin nëpër rrethe të ndryshme të vëndit, njerzit që i kryesonin ato, lidhjet me grupet e rezistencës antikomuniste që ishin në arrati, apo eksponentë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit që ndodheshin në kampet e Italisë, mbështetja që ata kishin nga anglo-amerikanët dhe misionet e tyre që vepronin në Shqipëri, lidhjet me ushtarakë të lartë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Punëve të Brendëshme, e deri tek njerëz me funksione të larta, pranë Enver Hoxhës etj.
Nga Dashnor Kaloçi
Dokumentet që po publikojmë në këtë shkrim i përkasin dosjes gjyqësore dhe hetimore, të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve” që u arrestuan dhe u morën të pandehur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u vunë në bangon e të akuzuarëve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq i cili u zhvillua në Kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data 4 deri në datë 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona, ku pjesa dërmuese e tyre ishin personalitete të njohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të njohur, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre si: Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Paralamentit Shqiptar, të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar prej Enver Hoxhës.
Përveç këtyre tre personave tepër të njohur si nacionalistë dhe me popullaritet mjaft të madh në të gjithë vëndin dhe që ishin krerët e atij grupi të pandehurish, të njohur si “Grupi i Deputetëve”, edhe një pjesë e madhe e tyre ishin antizogistë dhe kishin mbështetur apo kishin marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po kështu në përbërje të atij grupi kishte dhe intelektualë të tjerë dhe tregtarë të ndryshëm, të cilët nuk kishin aderuar në asnjë nga tre forcat politike (Balli, Legaliteti dhe Partia Komuniste) gjatë periudhës së Luftës, por që ishin brymosur dhe kishin përqafuar idetë liberal-demokrate të vëndeve Perendimore ku kishin studjuar, duke pasur prirje të theksuara antikomuniste.
Procesi gjyqësor i “Grupit të Deputetëve” i cili filloi me një pomozitet të madh nga ana e propagandës së regjimit komunist, duke vënë në dispocizcion të gjithë arsenalin e saj me radio, gazeta dhe afishe të ngjitura nëpër mure, për nga përmasat e rëndësia e tij, ishte procesi i dytë më i madh i zhvilluar deri në atë kohë që nga mbarimi i Luftës.
Proçesi i parë gjyqësor ishte zhvilluar në marsin e vitit 1945, i njohur si “Gjyqi Special kundër kriminelëve të Luftës” dhe në bankon e të akuzuarëve të atij gjyqi, kishin dalë 64 persona, ku pjesa më e madhe i tyre kishin mbajtur funksione të larta në të gjitha qeveritë shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek ato nën pushtimn gjerman, si deputetë, kryeministra, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, ambasadorë, ushtarakë të lartë etj.
Ndryshe nga Gjyqi Special i marsit të vitit 1945, ku gjykoheshin si të pandehur të gjithë ata persona të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur si “armiq e kriminelë lufte”, procesi gjyqësor i Grupit të Deputëtëve, që filloi në katër shtatorin e vitit 1947, kishte një ngarkesë akoma më të madhe politike e sociale, e interes të jashtëzakonshëm, pasi aty gjykoheshin një pjesë e atyre personalitëteve që kishin aderuar brenda rradhëve të Frontit Demokratik, që e udhëhiqte Partia Komuniste e sapoardhur në pushtet.
Nga dëshmi të ndryshme të marra si nga ana e familjarëve të “Grupit të Deputetëve”, ashtu dhe nga ish-ushtarakët e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, pothuaj gati të gjithë të pandehurit e atij grupi, gjatë procesit hetimor i janë nënshtruar torturave nga më ç’njerzoret në mënyrë që të pranonin akuzat që u ngarkoheshin nga ana e hetuesëve. Ajo shihet qartë edhe nga dosja gjyqësore e atij procesi, ku disa nga të pandehurit gjatë gjykimit të tyre i kanë mohuar ato dëshmi që kanë dhënë gjatë hetuesisë, duke u shprehur me fjalët: “Nuk kemi qenë në gjëndje dhe i kemi firmosur ato”.
Përveç atyre dëshmive të mohuara në atë proces gjyqësor, nga ana e të pandehurve të atij procesi ka edhe shumë dëshmi të tjera, ku flitet për aktvitetin dhe veprimtarinë e tyre antikomuniste, të filluar që nga periudha e Luftës e deri në atë kohë që u arrestuan, ku Sheqet Beja, Enver Sazani, Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Tefik Deliallisi, Sulo Kloso, Salim Kokalari, Beqir Çela etj., kanë pranuar të gjithë aktivitetin e tyre që synonte rrëzimin e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Po kështu në atë dosje gjyqësore shihet se të pandehurit kanë pranuar edhe lidhjet e bashkëpunimin e tyre me misionet anglo-amerikane të kryesuara nga Harry Fultz dhe gjenerali Hodgson, si dhe lidhjet me eksponentët kryesorë nacionalistë të Ballit e Legalitetit, që ishin në mërgim apo në arrati nëpër male.
Përveç shumë dëshmive të bëra nga të pandehurit e atij procesi gjyqësor, (gjithnjë duke i’u referuar dosjes në fjalë), ku tregohen lidhjet e tyre dhe aktiviteti antikomunist për rrëzimin e regjimit komunist, një nga dëshmitë më interesante në atë gjyq, është ajo e bërë nga Tefik Deliallisi, ku ai tregon për bisedën e bërë në shtëpinë e Ymer Keçit në Tiranë, ku Ymeri i ngarkoi Hamdi Kacolles, (njeriut që shërbente pranë Myslym Pezës) atentatin ndaj gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës e Koci Xoxes, gjatë vizitës që ata do të bënin në Pezë.
Të pandehurit
Shefqet Beja
Enver Sazani
Sheh Ibrahimi (Karbunara)
Selaudin Toto
Irfan Majuni
Tefik Deliallisi
Hysen Shehu
Salim Kokalari
Sulo Konjari
Ramazan Tabaku
Gjovalin Vlashi
Rustem Sharra
Xhevat Xhafa
Rram Marku
Beqir Çela
Riza Alizoti
Sulo Klosi
Saggioti Paolo
Foto Bala
Abdyl Kokoshi
Shefki Minarolli
Pertef Karagjozi
Mehmet Prishtina
Agathokli Xhitoni
(Vijon nga dje)
Dëshmia e Tefik Deliallisit
Para se të bëhej kryengritja e Shkodrës, u vendos në Komitet që të arratisurit të ktheheshin dhe të bashkoheshin dhe kryenin edhe aksione midis tyre. Kështu nën udhëzimet t’ona, çetat u urdhëruan të bëjnë aksione dhe të kryejnë atentate. Këto udhëzime ne u’a jepnim t’arratisurve simbas direktivave që merrnim nga anglo-amerikanët. Mbas mbarimit të mbledhjes, unë shkova në Durrës ku i raportova shokëve mendimet e Komitetit dhe së bashku me Ramazan Tabakun, u ngarkuam që të takoheshim me të arratisurit e Krujës dhe të Shijakut.
Kështu që Ramazan Tabaku, mori 5.000 franga dhe shkoi në Krujë ku u takua me Ibrahim Kupin, ndërsa unë mora 20.000 franga dhe shkova në Shijak, ku u takova me t’ arratisurit dhe u dhashë të hollat. Në prill 1946, kam biseduar me Hamdi Kacollën, dhe me Ymer Keçin, në shtëpi të Ymerit; Ymeri i tha Hamdi Kacollës, që të largohej nga Gjeneral Myslym Peza, ku ky ndodhej me shërbim, e të shkonte në Pezë; qëllimi i Ymerit ishte që Hamdinë, t’a dërgonte në Pezë për punë dhe për të bërë atentate kundra Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës, dhe Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe, në bashkëpunim me njerëzit që do të binte nga Dibra Faik Shehu.
Neve na kishin premtuar Anglo-amerikanët se po të merrej Shkodra nga kryengritësit, ata do të zbarkonin dhe zbarkimin nuk e bënë se kryengritja dështoi, mbasi nuk u bë në ditën e caktuar. Kurse kur erdhi Salim Kokolari nga Tirana, unë kam marrë 15.000 franga, gjithashtu kam marrë të holla dhe nga Ramazan Tabaku, të cilat j’ua kemi dhënë të arratisurve dhe u thamë se këto janë nga Komiteti i Durrësit. Mustafa Varoshin e njoh si kundërshtar të Pushtetit dhe neve kemi bërë mbledhje në shtëpinë e tij, ku i kemi thënë edhe për Komitetin dhe ai ka zhvilluar propagandë në Kavajë dhe Shijak kundër pushtetit.
Sot ditën dhe orën e caktuar Këshilli u formua si më parë, i asistuar nga Kryesekretari Aspirant Thoma Rino, dhe me ndodhjen prezent të Prokurorit Josif Pashko. Të shoqëruar rregullisht u sollën nga burgu të pandehurit dhe duke qenë të lirë u vunë në vendin e posaçëm, kështu filloi gjykimi rregullisht dhe botërisht. U morën në pyetje i pandehuri Irfan Manjuni, ju caktua si avokat mbrojtës z. Fuat Fico, të cilin e pranoi. Ju këndua akt-akuza e Prokurorit dhe e pranoi.
Dëshmia e Irfan Majunit
Mbasi u pyet deklaroi: Në korrik ose gusht të vitit 1945, duke qenë në shërbim në Ministrinë e Financave, kam shkuar në zyrën e Kostandin Boshnjakut, të cilin e gjeta me Kol Kuqalin duke biseduar. Unë u kërkova të më falnin se mund të kishin ndonjë punë, porse ata më thanë se s’kemi gjë të fshehur, meqënëse unë kisha biseduar para ca kohësh me Kol Kuqalin në lidhje me masat e marra nga pushteti. Aty hapëm çështjen e shtetëzimit të automjeteve dhe nuk e gjetëm me vend gjithashtu folëm dhe kundra reformave të tjera të bëra nga Pushteti.
Kola tha se këtyre reformave duhet që t’u vihet fre, prandaj duhet të formojmë një organizatë dhe kur unë i thashë se kush do ta formonte, ai më tha se organizata është formuar nga Shefqet Beja, Selaudin Toto, Riza Dani, Enver Sazani, Sheh Karabunara, Suat Asllani dhe Gjergj Kokoshi. Kjo organizatë ishte jashtë Frontit, d.m.th. kundër Pushtetit dhe për të kundërshtuar reformat. Nga prilli i 1945, kam biseduar për formimin e një partie socialiste me Salim Kokalarin, Shefqet Bejën, dhe Enver Sazanin, ata thanë se Komiteti ishte formuar dhe me hyrjen time, të Faik Shehut, dhe të Riza Danit, ky komitet u kompletua, gjithashtu më thanë se komiteti kishte bërë dhe dy-tre mbledhje.
Unë në mbledhjen e komitetit kam marrë pjesë nga fillimi i muajit Shtator 1945. Organizata time kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit me violencë dhe me ndihmën e anglo-amerikanëv. Komiteti ka bërë shumë mbledhje. Mbledhjen e parë ku mora pjesë dhe unë, e bëmë në shtëpinë e Ymer Keçit, dhe merrnin pjesë gjithë grupi i deputetëve, si: Kol Kuqali, Shefqet Beja, Sheh Ibrahim Karbunara, Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Selaudin Toto, Faik Shehu, Enver Sazani, unë, Gjergj Kokoshi, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Musine Kokalari, Hysen Karbunara, Ymer Keçi dhe Syrja Selfua.
Kjo mbledhje u bë para zgjedhjeve dhe e hapi Shefqet Beja, i cili si foli kundra reformave të pushtetit, tha se qeveria e sotme e shpie vendin drejt komunizmit dhe mbasi sot jemi në pragun e një evenimenti me rëndësi, duhet të organizohemi kundra pushtetit. Mbas Shefqet Bejës, folëm me radhë: Riza Dani, Gjergji Kokoshi, Kol Kuqali, Kostë Boshnjaku e të tjerë. Gjergj Kokoshi tha që: neve në zgjedhje duhet të dalim si opozitë e hapur kundra Frontit, mirë po neve nuk e pranuam këtë propozim dhe vendosëm që kandidatët tanë që do të jenë në gjirin e Frontit, t’i përkrahim kurse kandidatët e Frontit, t’i luftojmë dhe të propagandojmë për abstenim.
Mbështetja tonë ishin tregtarët, bejlerët dhe agallarët, më vonë u lidhëm dhe me të arratisurit. Në këtë mbledhje mora vesh se komiteti i organizatës sonë, qe ngritur në Durrës dhe më vonë u ngrit dhe nëpër qendrat e tjera. Pas zgjedhjeve, në fillim të janarit 1945, kemi bërë një mbledhje tjetër, në këtë mbledhje e merrte pjesë i gjithë komiteti inisiator, këtu foli Riza Dani, i cili tha se përfundimet e zgjedhjeve nuk patën ndonjë rezultat pozitiv për neve, mbasi elementët tanë që filluan janë shumë të pakët; ai na tha se neve në parlament duhet të kundërshtojmë si individë, por jo si grup.
Mbas Rizait foli Kol Kuqali, i cili tha se anglo-amerikanët, i kishin thënë se nuk do t’i njohin zgjedhjet dhe do të kërkonin ripërsëritjen e tyre. Atëhere neve thamë që në rast se zgjedhjet ripërsëriten, do të dalim si opozitë kundër Qeverisë. Lidhjet me anglo-amerikanët komiteti i mbante me anën e Kol Kuqalit, dhe të Selaudin Totos. Këtu vendosëm që të zhvillonin propagandën për të zgjeruar rradhët tona. Vendimet që morrëm u vendos që t’ju njoftohej qarqeve dhe për këtë Shefqet Beja, shkoi në Durrës, Riza Dani në Shkodër, Sheh Karbunara në Berat dhe Kol Kuqali në Korçë.
Unë mora përsipër të zgjeroj radhët me shoqërinë që kisha në Tiranë. Qëllimi i shkuarjes nëpër qarqe ishte që t’u njoftohej se u vendos në qëndror për të ardhur në kontakt dhe për t’u lidhur me të arratisurit u vendos në një mbledhje tjetër më vonë. Kol Kuqali, ka marrë nga anglo-amerikanët, 250 Stërlina nga të cilat 100 i mori Riza Dani, 75 Faik Shehu dhe të tjerat i ndau Sheh Karbunara me Kol Kuqalin. Këto të holla ata ua dërguan të arratisurve kriminelë lufte.
Në një mbledhje tjetër që bëmë Shefqet Beja, më njoftoi se Tefik Deliallisi dhe Selim Kokalari, kishin rënë në kontakt me të arratisurit e Durrësit, Riza Dani, me të Shkodrës, Sheh Karbunara me Hamit Matjanin dhe Kol Kuqali, me një të quajtur Alarup. Mbasi të arratisurit kishin nevojë dhe kishin kërkuar të holla dhe armë u morëm vesh me misionet anglo-amerikane, të cilët na dhanë të holla dhe për armë dhe municion na njoftuan se do të zbarkonin në një vend të bregdetit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë njoftuan edhe neve të arratisurit.
Shokët më thanë se në mbledhjen që kanë bërë ishte dhe një i huaj (Anglez), porse unë vetë në këtë mbledhje vetë nuk kam qenë. Ata me anglezët kishin biseduar për ndihmat që do të na jepnin. Zgjerimi i organizatës, shtimi i çetave dhe lidhjet e kontaktet me të arratisurit i bëmë mbasi kishim për qëllim, që me ndihmën e anglo-amerikanëve të rrëzonin pushtetin. Si vend adapt për lëvizje kundër pushtetit, anglo-amerikanët na kishin thënë se ishte Shkodra, mbasi ata atje edhe mund të zbarkonin. Kështu neve, d.m.th. Komiteti Qëndror, vendosi që lëvizja të bëhej në Shkodër më dt. 15 Tetor 1946. Njëkohësisht u dhanë udhëzime gjithë qarqeve për të vënë të arratisurit në lëvizje.
Lëvizja e Shkodrës u bë para kohe dhe dështoi pasi forcat qeveritare ishin të shumta dhe të forta. Mbi dështimin e Lëvizjes së Shkodrës, ju njoftua anglo-amerikanëve me anën e Kol Kuqalit dhe të Selaudin Totos, porse ata na njoftuan që neve nuk duhej që ta humbisnim shpresën dhe të inkurajoheshim, porse duhet me vazhdoi të punojmë se ata do të na ndihmonin dhe do të bënin presion karshi qeverisë.
Për arratisjen e Cen Elezit, na lajmëroi Kol Kuqali dhe Selman Ndreu, në një mbledhje ku ishin të gjithë; kjo neve na pëlqeu mbasi ishte në interesin tonë. Me dështimin e Lëvizjes së Shkodrës, vendosëm të kufizonim mbledhjet dhe të bënim kontakte individuale duke vazhduar punën, porse në këtë mënyrë u udhëzuan dhe qarqet duke u dhënë që të punonin me kujdes se shpresat për t’ja mbërritur qëllimit i kemi, mbasi na ndihmojnë anglo-amerikanët. Në komitetin tonë ka marrë pjesë dy-tre herë Surja Selfua që bënte pjesë në organizatën Ballit.
Ai na ka njoftuar se organizata e tyre me anën e Abdyl Kokoshit dhe me ndërmjetësinë e anglo-amerikanëve, ishte lidhur me të arratisurit e Italisë si Mithat Frashërin, Ali Këlcyrën e të tjerë. Unë agjitacion bënja me shokët e mi, si Skënder Cilkën, Avni Skraparin, e Myzafer Kallanxhinë, të cilëvet u kam treguar ekzistencën dhe qëllimet e organizatës tone, këta aprovonin se unë u thosha mbasi ishin kundra Pushtetit. Nuk di që në komitet të jetë marrë ndonjë vendim për t’u bërë vrasje nga të arratisurit, por mund të jetë vendosur kurse unë nuk kam marrë pjesë.
Dëshmia e Salim Kokalarit
I pandehuri Salim Kokalari. Në komitet është marë vendim për ta bërë atentate kundër personave të Pushtetit, tue qenë dhe Irfan Manjuni. Mbështetja jonë kryesore për rrëzimin e Pushtetit ishin anglo-amerikanët, të cilët jo vetëm që na ndihmonin, porse dhe na shtynin që të punonin sa më shumë duke na premtuar ndihma në të holla, në armë dhe zbarkim gjithashtu e mbështetnim organizatën me elementët tregtarë agallarë dhe bejlerë. Në komitet është folur se ekzistonin grupe sabotatorësh në Kuçovë dhe gjetkë.
Reforma dhe shtetëzimet që bënte Pushteti, neve nuk na dukeshin të mira, mbasi ishin kundra tyre. Këto ishin në interes të popullit por neve mbasi ishim kundra pushtetit, ishim dhe kundra tyre. Unë e di që kemi bërë një tradhëti të madhe, porse mbasi ishim kundra qeverisë, të cilën e quanim komuniste, ne vepronim. Betimin dhe besimin që më dha populli t’ue më zgjedhë deputet me veprimtarinë time e tradhëtova.
U pyet avokati mbrojtës i të pandehurit dhe nuk pati gjë për të thënë. Ju kënduan proces-verbalet e hetuesisë dhe i pranoi.
Merret në pyetje i pandehuri Rustem Sharra, ju caktua si avokat mbrojtës z. Ilia Kote, të cilin e pranoi.
Dëshmia e Rustem Sharës
Ju këndua aktakuza e Prokurorit dhe e pranoi
Mbasi u pyet deklaroi: Gjatë okupacionit kam qenë tregëtar lëkurash. Nuk kam bërë pjesë në ndonjë organizatë. Aktivitetin tim kundra Pushtetit e kam filluar në qershor 1945. Unë vija shpesh herë në Tiranë dhe mbasi Shefqet Bejën e kam mik, qëndroja në shtëpinë e tij. Një natë Shefqeti më tha se: do të ngarkoj me një punë, që të lidhesh me Ram Abilin dhe t’i japësh pare të cilat do ti jap unë. Unë pranova mbasi e kisha mik, kështu kurse u ktheva në Kavajë u mora vesh me një katundar dhe kërkova të më takonte me Ram Abilin.
Katundari më lidhi me të dhe shkova e takova Ramën, në një pyll të Kavajës, të cilit i thashë 100 napolona, i thashë se këto pare vinin nga Tirana dhe që sa herë që do t’i nevojiten pare, të më lajmëronte për t’i dërgue, prandaj i thashë rri rehat. Rama në pyll ishte bashkë me djalin e tij. Me Ramën ndenjta një sahat dhe u ktheva, mandej katundari ndërlidhës vinte rregullisht dhe i dërgonja Ramës herë pas here nga 30-40 napolona, por nuk e di nëse kantundari j’a dorëzonte apo i mbante për vehte.
Kurse kur erdha në Tiranë, i thashë Shefqet Bejës se isha takuar me Ramën dhe i kisha dhënë pare. Me këtë rast e pyeta Shefqetin, që pse i dërgonte pare Ram Abilit? Shefqeti më tha se ka me na u nevojit dikur. Unë Ramës i kam dërguar 600 napolona kurse Shefqeti më ka dhënë 400. Të 200 napolonat e tjera nuk ja kam kërkuar, mbasi unë i kam borxh lart nga 2000 napolona.
Shefqeti më ka thënë se paret janë të organizatës, më vonë unë u bëra anëtar i organizatës. Unë nuk e di që Ram Abili, të ketë bërë ndonjë vrasje. Ndihma i kam dërguar Ramës nga ato që më kanë dhënë këta, porse gjë tjetër nuk i kam dhënë. Unë kam rënë viktimë për mik, mbasi as Ministër dhe as deputet nuk do t’u bëjsha. Kur më bisedoj Shefqeti për t’u lidhur me Ram Abilin, kemi qëndruar një natë të gjithë. Në komitetin e Kavajës, kam hyrë në korrik të vitit 1945. Shefqeti më kishte thënë në një rast, që pse nuk bëni dhe juve në Kavajë një komitet nacionalist dhe unë kur u ktheva në Kavajë, i thashë Rakip Haxhi Alushit dhe formuam komitete ku unë u caktova arkëtar.
Kurse kur jam takuar me Xhaf Xhafën, i tregova për formimin e komitetit dhe që e kishim caktuar dhe atë, ai pranoi. Një herë më ka takuar Xhaf Xhafa dhe më tha që kishte ardhur dikush nga Durrësi dhe na kishin thënë se juve nuk kini bërë kurrgjë prandaj tha Xhafa, duhet të mblidhemi, kështu u mblodhëm dhe zgjodhëm si Kryetar, Xhaf Xhafën, unë si arkëtar dhe Rakip Haxhi Alushi, Pirro Mineu e Dervish Iba, anëtar. Në komitet u vendos që të punonim në popull duke bërë me vete dhe elementë të tjerë, kështu jemi mbledhur vazhdimisht, tre katër herë.
Unë kam biseduar me katër pesë persona, shokë të mi, të cilëve u kam folur mbi organizatën larg e larg dhe jo drejt për së drejti. Pare në Kavajë nuk kam mbledhur. Qëllimi i organizatës ishte që të rrëzonte qeverinë. Nuk di të ketë ardhur njeri nga komiteti i Durrësit në Kavajë. /Memorie.al